Nezir Mehmetaj, i cili ka një vit e gjysmë që po mbahet i ndaluar në Serbi ka dalë sot para Gjykatës së Lartë të Beogradit në Serbi, raporton Gazeta Express.

“Mehmetaj akuzohet për pjesmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë të Klinës në qerdhor dhe korrit 1999”, u tha në gjykatë.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat në gjykatë, duke treguar se çfarë ka bërë gjatë luftës.

Nezir Mehmetaj tha se ka lindur në Rudicë dhe se ishte larguar nga Kosova më 1987, duke shkuar në Zvicër për të punuar. Në Kosovë tha se ishte kthyer pas luftës më 1999.

“Erdha në Kosovë për herë të parë në shtator 1999 përmes Shqipërisë. E bleva një veturë në Durrës, e mora nënën, motrat dhe vëllain tim dhe shkova me ta në fshatin Rudice”, tha ai në gjykatë, duke shtuar se familja e tij ishin refugjatë në Shqipëri atë kohë.

Me të mbërritur në Kosovë, Mehmetaj tha se nisi ta kërkonte babanë e tij i cili ishte arrestuar më 1998, i cili do të gjendej në një burg të Serbisë.

“Zbulova se babai im ishte gjallë në mes të tetorit kur përfaqësuesit e Kryqit të Kuq erdhën në shtëpinë tonë. Në fund të nëntorit u ktheva në Zvicër te gruaja dhe familja ime”, shtoi Mehmetaj.

Sipas pretendimeve të shtetit serb, Mehmetaj akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudice si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndër tjerash, Serbia pretendon se Neziraj kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje serbe në qershor të vitit 1999.

Ai u arrestua në janar të vitit 2020 nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar midis Serbisë dhe Kosovës në Merdare. Që atëherë, ai po qëndron në paraburgim. Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar lirimin e Nezir Mehmetajt.