Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë po vazhdojnë të zvarriten, ani pse të njëjtat ka më shumë se pesë vjet që kanë nisur, shkruan Llapi.info.
Zgjerimi dhe asfaltimi i saj është bërë pjesë-pjesë, ndërkohë që tashmë janë asfaltuar pak llote dhe kanë përfunduar vetëm 10 kilometra.
Për këtë janë ankuar qytetarë të shumtë, të cilët frekuentojnë këtë rrugë që lidh Llapin me kryeqytetin e Kosovës. Se kur pritet të rifillojnë dhe të kryhen këto punime në këtë magjistrale, Llapi.info ka tentuar të marrë detaje nga Ministria e Infrastrukturës, por nga kjo ministri nuk është kthyer ndonjë përgjigje.
Në anën tjetër, zyrtarë komunalë kanë nisur “presionin” në Ministrinë e Infrastrukturës për punimet në këtë magjistrale. Kësisoj, janë mbajtur edhe takime mes zyrtarëve komunalë të Podujevës dhe atyre të MI-së. Madje, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka takuar ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, për rifillimin e këtyre punimeve.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka deklaruar për Llapi.info se nga këto takime është kërkuar që të intensifikohen punimet në këtë rrugë nacionale.
“Sa i përket çështjes së magjistrales Podujevë-Prishtinë, kryetari Bulliqi dje së bashku me drejtorin e Urbanizmit dhe drejtorin e Shërbimeve Publike kanë mbajtur takim në MI me zëvendës ministrin, Hysen Durmishi, kurse para disa ditësh kryetari Bulliqi e ka takuar edhe ministrin Liburn Aliu, ku temë kyçe e këtyre takimeve ka qenë rifillimi i punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe kërkesa e kryetarit ka qenë që kjo rrugë ta ketë vëmendjen e shtuar nga ana e qeverisë dhe të intensifikohen punimet”, është shprehur Zhitia.
Më tej, Zhitia ka deklaruar se duke e parë frekuentimin dhe ngarkesën e madhe të kësaj rruge, është kërkuar që në mënyrë emergjente përfundimi i saj.
“Duke qenë të vetëdijshëm se sa shumë frekuentohet kjo rrugë dhe sa e ngarkuar është ne e kemi shtruar si kërkesë kryesore drejtuar MI si nevojë emergjente ndërtimi i kësaj magjistrale për qytetarët llapjanë”, ka thënë ai.
Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku. Por, edhe pas ndërrimit të pushteteve, MI është akuzuar se ka mungesë të planit të për ndërtimin e kësaj rruge, pasi në të, përveç tjerave, mungojnë vend-stacionet për autobusë e shiritat ndihmës. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për dinamikën e ulët të punimeve për këto vite vazhdimisht kanë fajësuar banorët për shpronësime.
Si pasojë e dinamikës dhe lënies së punëve në gjysmë, kjo rrugë, shpesheherë ka qenë e rrezikshme për vozitësit, ndërkohë që edhe numri i aksidenteve fatale për këto vite ka qenë i madh./Llapi.info