Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka takuar homologun e saj gjerman, Heiko Maas.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve, e cila u tha se është afër përmbylljes.

Dy ministrat në takim janë fokusuar në diskutime lidhur me marrëveshjet bilaterale në mes të dy vendeve, me ç’rast kanë vlerësuar se duhet të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin e shkencën.

“Kosovës u tha se do t’i ofrohet përkrahje për thellim të bashkëpunimeve bilaterale edhe në raport me shtetet e tjera të BE-së”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

“U nënvizua edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani, ku mbi 400 mijë shqiptar u tha të jenë të integruar mirë në shoqërinë gjermane. Pala gjermane shprehu gatishmërinë që të ofroj mbështetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës sa i përket reformave të brendshme, por edhe për shërbimin e saj të jashtëm”, përfundon njoftimi. /Zëri