Ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaguar sot pas akuzave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministrit Blerim Sallahu për keqpërdorime në kohën sa ka udhëhequr Selimi me ministrinë.

Ish ministri Selimi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se akuzat ndaj tij janë me motive politike.

Lexoni të plotë reagimin e Selimit:

Sot ministrja e Drejtësisë ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë një sërë akuzash rreth punës sime në Ministri me motive krejtësisht politike.

Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin.

Ftoj ministren që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë.

Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës.

Spin doktoratë e VV-së kanë bërë një gabim të madh të diversionit dhe kanë zgjedhur që të fillojnë një betejë të cilën do ta humbin”.