Komuna e Podujevës ka nisur hapjen e tenderëve për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra të kësaj komune, raporton Llapi.info.

Pas Gllamnikut dhe Buricës, kjo Komunë ka hapur tender edhe për asfaltim në tetë fshatra të Podujevës.

Sipas kësaj kontrate, asfaltimi do të kryhet në Llaushë, Shtedim, Dumosh, Lladoc, Miroc, Lupç, Majac dhe Popovë.

Për asfaltimin e rrugëve në këto tetë fshatra, Komuna e Podujevës ka planifikuar t’i shpenzojë 443 mijë 306 euro. Ky tender është hapur sot. Asfaltim rruge kjo Komunë ka planifikuar edhe në fshatin Siboc dhe Lluzhan.

Komuna e Podujevës, e cila është nën qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hapur disa tenderë për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra. Por, buxheti për vitin 2021 është miratuar në kohën kur LDK qeveriste me këtë Komunë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje vazhdimisht patën kritikuar ish-qeverisjen e LDK-së se buxheti më së shumti orientohet në asfalt, duke lënë anash sektorin e arsimit dhe shëndetësisë./Llapi.info