Pjesëmarrja e kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit në procesin e votimit në zgjedhjet në Shqipëri, është kritikuar nga shoqëria civile. Analisti politik, Blerim Burjani thotë se ky veprim i Kurtit është për t’i realizuar interesat e tij personale, raporton Ekonomia Online.
Burjani në një intervistë për Ekonomia Online, tha se nuk është veprim pozitiv kur kryeministri i vendit shkon të votoj në një shtet tjetër, në kohën kur Kosova po përballet me probleme serioze.
“Është shumë interesante për të përmendur, sepse ka shumë zyrtarë dhe të mëhershëm të qeverive të kaluar që kanë pasur dy shtetësi dhe ky si kryeministër ka dy shtetësi dhe haptazi e shfrytëzon të drejtën edhe për të votuar në Shqipëri, dhe mendoj që ka edhe interesa tjera përveç kësaj. Dëshira apo opinioni i tij është që të zhvillohet politika e tij si Vetëvendosje dhe si person, dhe këto janë ambiciet e tij,të neupatriotizmin i cili vazhdon të zhvillohet”, tha ai.
“Nuk është pozitive kjo kur e ke vendin në gjendje kaq të rëndë ekonomike, problemin kryesor vaksinimin e qytetarëve dhe rikonsolidimin e sektorit privat e pastaj edhe reformën në arsim e reformën në kategoritë sociale dhe me gjitha këto me shku dhe me votua, sepse kurrkush nuk e ndalë, sepse e shfrytëzon të drejtën e tij, por pse ky dhe shumë të tjerë kanë nënshtetësinë është shumë interesante, ky mund ta ketë përpos të Kosovës dhe Shqipërisë edhe një shtetësi tjetër, kur dihet gjendja statusore e tij, ai mund të ketë disa shtetësi dhe që nuk e bën kredibil për Kosovën. Të ndalet kjo luftë për patriotizëm, sepse ne kemi nevojë për reforma. Si kryeministër angazhimi i tij primar duhet të jetë Kosova”, theksoi tutje ai.
Kryeministri Kurti pas hedhjes së votës në kutin e votimit, tha se një gjë e tillë është detyrë për ata që e duan demokracinë.
Burjani thotë se ky veprim i tij është për të treguar patriotizëm.
“Po normal për ta është e drejtë qytetare, sepse ai është edhe shtetas i Shqipërisë për atë arsye ai e quan si e drejtë qytetare, e në anën tjetër merret me neopatriotizëm. Mendoj që kjo çfarë bën ai është dashur që të bëhet i matur dhe t’i ndalë këto veprime që nuk e çojnë as në favoret e tij personale dhe aspak si kryeministër i shtetit. Duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe të angazhohet shumë në vend, sepse nuk i ka mbetur Shqipërisë Albin Kurti me i zgjidh problemet atje, Shqipëria ka një skemë të konsolidume politike, ka partinë socialiste dhe demokratike të fuqishme si subjekte politike të cilat kanë arritur me zhvillu Shqipërinë, prandaj nuk është nevoja me shku me ndreq atje sepse ajo po e ndreq veten. Politika sot është pragmatizëm dhe nuk është neopatriotizëm”, përfundoi Burjani për Ekonomia Online.
Eugen Cakolli i KDI-së përmes një shkrimi në rrjete sociale, ka thënë se është e papranueshme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri sot.