Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri në seancë që po mbahet tani tha se Kosova po kalon një periudhë sfiduese dhe kjo nuk përbën lajm.
Tahiri deklaroi se lajm i përditshëm është dështimi dymujor, gjersa shtoi se janë të rralla ditët kur na duket se kjo qeveri ka një agjendë.
“Për secilin prej nesh nuk është më lajm që po kalojmë një periudhë sfiduese. Lajm i ditës e i përditshëm është dështimi dymujor i qeverisë, madje dështim edhe në gjëra të vogla. Janë të rralla ditët kur na duket se kjo qeveri ka një agjendë, dhe siç edhe e kemi parë, sapo të kritikohet për ndonjë veprim të saj, reagojnë shpejtë dosido.”
“Kjo qeveri nuk ka as plan e as vizion. Ministrat e saj bëjnë çfarëdo vetëm për tu dukur se janë duke bërë diçka, ndërsa vlerësimi i qytetarëve për ta është se; e kanë fillimin, janë të rinj, nuk dinë.”
“Çka mësuam për këtë prioritet, jo prioritar, të Kryeministrit?! Mësuam që Kryeministri, nuk ishte i sinqertë me atë deklaratë dhe qëndrim. Mësuam që i përballur me presionin ndërkombëtar, humori nuk i kryen punë. Kryeministri ua ndërron vendet prioriteteve, duke e bërë prioritetin e 4-të, prioritet të parë. Në fakt dialogun e bënë prioritetin e vetëm, sepse prioritet tjera nuk po i shihen askund. Mësuam që edhe pse Kosovës i duhet një Kryeministër, para së gjithash, i sinqertë, me komoditetin që i japin numrat, Kryeministri nuk e ka problem të bëhet edhe joserioz edhe i pasinqertë.”
“Kërkesa ime për ju është mos bëni eksperimente me çështjen e pandemisë, me orën policore, mos bëni eksperimente me tema nacionale si dialogu, të mos ballafaqoheni me atë që u ka ndodhur herën e kaluar. Ju lus ta lini anash arrogancën. Votimi i djeshëm nuk mendon që e ka forcuar demokracinë në Shqipëri, vetëm besoj e ka forcuar mendimin për Kosovën të vendeve mos-njohëse”, tha ai.