Anëtari i Këshillit për Demokratizimin e Politikës nga Berlini, Bodo Weber, ka deklaruar për portalin “KosovoOnline” se ai personalisht është në favor të “risetimin” të negociatave, sepse, dialogu për marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse që ka qenë në fuqi që nga viti 2017 nuk ka shkuar drejt këtij qëllimi. Weber gjithashtu vlerësoi se është shumë e rëndësishme që Mass vizitoi Prishtinën dhe Beogradin, duke theksuar se ishte dashur që këtë ta bënte më herët.

Kur bëhet fjalë për vazhdimin e procesit të dialogut dhe deklaratën e Mass-it se “nuk ka nevojë për risetim të dialogut”, Weber vlerësoi se negociatat që janë bërë që nga viti 2017 dhe shtyrja e idesë së rrezikshme të shkëmbimit të territoreve pothuajse çuan në katastrofë, prandaj ai personalisht preferon kthimin e negociatave në kornizën e tyre origjinale.

“Çdo fillim i vërtetë i bisedimeve reale duhet të fillojë me një kornizë negociuese të përcaktuar qartë, me parimet negociuese nga BE dhe SHBA, pra kthimi i parimeve që dikur mundësuan vetëm përparimin origjinal dhe përparimin në dialogun politik nga 2012 në 2014. Letrat nga presidenti Biden dhe sekretari i shtetit Blinken dërguar në Beograd dhe Prishtinë javët e fundit, por edhe vizita e ministrit Mass dhe theksimi që marrëveshja përfundimtare duhet të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, janë një hap drejt një “risetimi” të vërtetë”, ka thënë Weber.

Sidoqoftë, ai thekson se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Unë besoj se ka nevojë për një deklaratë ose një letër të përbashkët nga presidenti Biden, kancelarja Merkel dhe ndoshta edhe nga presidenti Macron, në të cilën ata përcaktojnë këtë kornizë negociuese”, ka theksuar Weber.

Ai pjesërisht u pajtua me ministrin e jashtëm gjerman, i cili tha se “tani është koha e duhur për të vazhduar dialogun”.

“Edhe është edhe nuk është momenti i duhur. Koha e tanishme, para se kancelarja Merkel të largohet nga skena politike, është sigurisht momenti i duhur për të drejtuar negociatat në rrugën e duhur. Dhe ne nuk duhet të biem në grackën e një loje me zgjedhje të përhershme si një mjet për të shmangur negociatat. Por për fillimin e negociatave të mirëfillta nga ana e BE, duhet të plotësohen disa parakushte, të cilat kryesisht i referohen Francës dhe presidentit Macron”, vazhdon Weber.

Ai ka shtuar se, mbi të gjitha, minimi i politikës së zgjerimit nga Macron, të perspektivës së anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndalet, sepse pa këtë perspektivë, nuk ka marrëveshje. Së dyti, duke bërë bllokimin popullist të liberalizimit të vizave për Kosovën deri pas zgjedhjeve presidenciale franceze në vitin 2022, Macron po vret besueshmërinë e Bashkimit Evropian në Kosovë. Sikur të isha unë Qeveria e Kosovës, sinqerisht, nuk do të hyja në negociata pa u ndryshuar politika e Macronit. Kjo natyrisht nuk vlen për Beogradin, domethënë për presidentin Vuçiq – atij i përshtatet në mënyrë të përsosur për të minuar perspektivën e BE dhe për të shmangur marrëveshjen me Kosovën, ka vlerëuar Weber.