Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me ambasadorin Philip Reeker, i cili ushtron detyrën e ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, gjatë të cilit takim është folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, nga Zyra e Presidentes ku thuhet se Reeker ka theksuar se inkurajojnë palët që të angazhohen për të arritur marrëveshje.
“Ambasadori Reeker theksoi se SHBA-të inkurajojnë palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani në lidhje me këtë potencoi rëndësinë e përmirësimit cilësor të procesit të dialogut që bazohet në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit e që i kontribuon paqes dhe prosperitetit në rajon.
Ajo theksoi se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë kërkoi përkrahjen e SHBA-ve.
Po ashtu, Reeker gjatë takimit rikonfirmoi interesimin e Presidentit amerikan Josepf Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit.
“Ambasadori Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme. Po ashtu, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në komunikatë.
Në këtë takim, Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-të është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme që do të shtonin punësimin dhe do të luftonin në mënyrë efikase korrupsionin.