Ambasadori i SHBA’së në Prishtinë, Philip Kosnett, përmes një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në twitter ka njoftuar se mbrëmë bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë pasur bisedime me Përfaqësuesin Special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ku kanë diskutuar për gjerësisht për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kosnett thotë se këto bisedime kanë qenë produktive, derisa thekson se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet qenësor për suksesin në ekonomi dhe në procesin e integrimeve, raporton Express.
“Mbrëmë patëm një diskutim të gjerë, dhe produktiv me kryeministrin AlbinKurti dhe Matt Palmer të Departamentit të Shtetit.Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, ka shkruar Kosnett.
Për dialogun Kosovë-Serbi mbrëmë kanë diskutuar edhe presidentja Vjosa Osmani me zyrtarin amerikan Philip Reeker. Reeker ka thënë se palët duhet tregohen konstruktive në dialogun që duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes.
Derisa edhe Departamenti i Shtetit Amerikan sot ka lëshuar një komunikatë për media, ku flitet për dialogun Kosovë-Serbi dhe përkrahjen amerikane në këtë proces që këmngulin se duhet të finalizohet me njohje reciproke.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, që hedh bazat e një bashkëpunimi dhe prosperiteti të qëndrueshëm. Ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të angazhohen përsëri në këtë proces me një ndjenjë urgjence për të adresuar çështje teknike dhe politike. Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e tyre në Uashington në mbështetje të qëllimit të normalizimit të plotë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan.