Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, e ka dënuar me 600 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të 120 eurove, Avni Mustafa.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sabit Sadikaj, i akuzuari fillimisht u dënua me 300 euro gjobë dhe 3 muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Osman Havolli, dënimi me burg i është shndërruar në dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.

Kështu, ndaj të akuzuarit u shqiptua dënimi me gjobë në total prej 600 euro.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 prill, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale “vjedhja”.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 3 prill 2018, Avni Mustafa akuzohet se më 21-22 shkurt 2018, në intervalin kohor 23:00-00:30, në Repartin e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, përderisa po qëndronte në këtë repart, ka shfrytëzuar rastin dhe nga dollapi i dhomës ka marr jaknën e të dëmtuarit Valdet Ahmeti dhe nga xhepi ka nxjerrë kuletën në të cilën i vjedh 120 euro dhe më pas e vendos kuletën në jakne të ankuesit, të cilën e lë pastaj në dysheme.

Sipas aktit akuzues, kur i dëmtuari e verën, i njofton infermieret dhe policinë, ku gjatë kontrollimit trupor të të akuzuarit, të hollat i gjenden te organet gjenitale.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja ” nga neni 325, paragrafi 1 të Kodit Penal.