Bashkimi Evropian mohon se dokumenti “non-paper” që është publikuar dje në media e që flet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është qëndrim i Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një përgjigje për Express u shpreh se dokumenti i pretenduar nuk është pranuar as nga Miroslav Lajçak e as nga Josep Borell.
Dokumenti “non-paper” që u pretendua se është nismë franko-gjermane, në më pak se 24 orë, diplomatët të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë.
Lidhur me përmbajtjen e “non-paper”, që flet për njohjen e sovranitetit territorial të Kosovës dhe Serbisë ndaj njëra-tjetrës dhe krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore” kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian.
Reklamë
Zëdhënësi i saj, Peter Stano, tha se dokumenti i pretenduar nuk shpreh qëndrimet e BE-së.
“Dokumenti i pretenduar nuk shpreh pozicionet e BE-së dhe nuk është pranuar nga Përfaqësuesi Special për dialogun, Miroslav Lajçak dhe as nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikat e Jashtme, Josep Borell”, tha Stano për Express.
Lidhur me këtë dokument të pretenduar nuk ka pasur ndonjë reagim nga presidentja Osmani, teksa nga qeveria kanë deklaruar se nuk kanë çfarë t’i shtojnë më shumë reagimeve të ambasadës së Gjermanisë dhe Francës.
Sot, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur lajm të rremë, se ai dokument është hartuar nga gjermanët dhe francezët.
“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Kurse, përmes një reagimi sërish në Twitter, ambasada franceze ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetsimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.
“Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturin non-paper franko-gjerman të botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagim.
Reagim ka pasur edhe nga Aleksandar Vuçiq, i cili tha sot se “non-paper” lidhur me marrëveshjen që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë botuar nga mediat në Prishtinë u ideua nga dikush shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai.
“Non-paper” u raportua dje si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dokumenti “non-paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.