Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gjatë muajit qershor mund të nis dialogun me Serbinë.
Kurti theksoi se gjatë muajit maj do të takojë opozitën në Kosovë për të diskutuar për dialogun, ndërkaq theksoi se do të marrë pjesë në darkën e punës që do të organizohet gjatë muajit maj me liderët e Ballkanit në Bruksel.
Kurti theksoi se kanë nevojë për kohë, për të pasur më shumë informacione dhe dokumentet e marrëveshjeve të kaluara, për të përgatitur mirë këtë dialog, pasi siç theksoi ai më nuk ka vend për gabime të tjera në këtë proces.
“Javën e ardhshme do të aprovojmë programin qeverisës, dhe planin e punës dhe ai duhet të dërgohet për diskutim në Parlamentin e Kosovës. Në anën tjetër, kemi nevojë për më shumë informacione dhe dokumente për marrëveshjet e kaluara dhe procesit në përgjithësi për tu përgatitur për këtë. Gjatë muajit maj do të takojmë opozitën në Kosovë që të kemi edhe kontributin e tyre. Vetëm duan dialog të përgatitur mirë. Fillimisht në maj do të kemi këtë darkën e punës me prijësit e Ballkanit Perëndimor. Pastaj në qershor mund të fillojmë me kapitullin tjetër të dialogut”, tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.