Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës, vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë – 38 në kategorinë e shpenzimeve investime kapitale dhe vendime të tjera në interes të qytetarëve, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.

Në fillim të mbledhjes së sotme, këshilltari Qëndrim Softolli lexoi para të pranishmëve letrën e këshilltarit komunal Blerim Maçastena, i cili po mbahet i burgosur në Serbi.

Maçastena, përmes letrës, ka thënë se ndihet shumë falënderues për të gjithë mbështetjen financiare dhe morale nga kolegët këshilltarë, të cilët me gatishmëri të plotë e ndihmuan atë në këto ditë të vështira.

Me propozimin e këshilltarit Rafet Llapashtica nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi vendosi të shtoi në rend dite propozim vendimi për marrjen e masave për lirimin e pronës përkatëse me qëllim të implementimit të projektit për ndërtimin e obeliskut për heroin  Afrim Zhitia në fshatin Llugë. Kuvendi e  miratoi këtë propozim vendim.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, prezantoi propozim vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2020 në vitin 2021 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore. Ai propozoi që mjetet e pashpenzuara në vitin 2020, në shumën e përgjithshme prej 669,619 euro, të barten në vitin 2021 dhe atë në programet Administratë Komunale 342,671,59 euro, Shëndetësi 28,466,61 euro dhe Arsim 298,480,93 euro.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2020 në vitin 2021 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetor.

Gjithashtu drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, prezantoi propozim vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë – 38 në kategorinë e shpenzimeve investime kapitale.

Drejtori Osmani tha se mjetet buxhetore në shumë totale prej 380,930,00 euro do të transferohen në kategorinë e shpenzimeve kapitale, si:

Planifikim Hapësinor dhe Rregullativ –Ndërtimi, shtimi, rritja dhe mirëmbajtja (në pronën publike të qytetit), e parqeve, hapësirave të reja të gjelbëruara, kopshteve të hapura me lodra për fëmijë, etj në vlerë prej 80.000 euro.

Shërbimet e Shëndetësisë primare – Ndërtimi i objektit të QMF 3 në Podujevë, në vlerë prej 100.930 euro.

Shëndetësi – Ndërtimi i shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në vlerë prej 100.000 euro.

Arsim parafillor dhe çerdhe – Ndërtimi i objektit të çerdhes në qytet afër shkollës “Fan S. Noli”, në vlerë prej 100,000 euro.

Kuvendi, pas diskutimeve, me shumicë votash miratoi vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë – 38 në kategorinë e shpenzimeve investime kapitale.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, prezantoi raportin Financiar të Komunës së Podujevës për periudhën janar – mars 2021.

Ai tha se qëllimi i këtij raporti është të prezantohet një pasqyrë e aktiviteteve financiare të zhvilluara gjatë tre mujorit të vitit 2021.

Sipas drejtorit Osmani, buxheti i miratuar Komunës së Podujevës për vitin 2021 në total, për të gjitha kategoritë buxhetore,  është 23, 853, 654 euro. Prej tyre në tre mujorin e parë të vitit 2021 (janar-mars), në të gjitha kategoritë buxhetore janë shpenzuar 3,859,651 euro

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Bahri Selimi, prezantoi propozim vendimin për vënie në diskutim publik të propozim Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës.

Drejtori Selimi gjithashtu prezantoi orarin e diskutimit publik nëpër fshatra. Pas diskutimeve Kuvendi miratoi vendimin për vënie në diskutim publik të propozim Rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës.

Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Pajtim Balaj prezantoi Propozim Rregullorën për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për taksa tarifa dhe gjoba Komunale. Drejtori Balaj kërkoi nga këshilltarët të përkrahin këtë propozim rregullore dhe të vënë në diskutim publik me qytetarë.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi nuk e miratoi këtë propozim vendim.

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, prezantoi Propozim Rregullorën e punës së Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit të Podujevës “Avdush Hasani”, e cila u miratua nga Kuvendi.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, prezantoi propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare – për subvencionimin e bashkëfinancimit të ndërtimit të shtëpive të banimit për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe të banimit në Komunën e Podujevës, me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.   

Drejtori Veliu tha se Komuna e Podujevës në marrëveshje me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” do të participojë me nga 5,000 euro në ndërtimin e secilës shtëpi, që në total për ndërtimin e 10 shtëpive shuma e participimit do të jetë 50,000 euro.

Pas diskutimeve Kuvendi miratoi vendimin vendimin për ndarjen e mjeteve financiare – për subvencionimin e bashkëfinancimit të ndërtimit të shtëpive të banimit për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe të banimit në Komunën e Podujevës, me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.   

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Fevzi Jetullahu prezantoi Propozim vendimin për lirim nga taksa komunale – shfytëzimi i hapësirave publike/ tarracave pranë lokaleve të subekteve afariste të gastronomisë dhe operatorët e transportit publik.

Drejtori Jetullahu tha se për shkak të gjendjës së krijuar tashmë e një vit, bizneset afariste dhe operatorët e transportit publik kanë pësuar humbje të mëdha dhe janë dëmtuar shumë, prandaj kërkoi që ky propozim vendim të mbështet nga Kuvendi.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi vendimin për lirim nga taksa komunale – shfytëzimi i hapësirave publike/ tarracave pranë lokaleve të subekteve afariste të gastronomisë dhe operatorët e transportit publik.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu gjithashtu prezantoi Plotësim ndryshimi i përbërjes së Komisionit për ndarjen e shtëpive në pronësi të Komunës në “Lagjen e Dëshmorëve” në fshatin Balloc, i ngritur me Vendimin nr.prot. 01-020/04-0026812/18 të datës 28 mars 2018, ku ky komision pas dorëheqjes së këshilltarit Vendenis Lahu, ka mbetur pa një anëtar.

Me propozim të Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, anëtari i ri i këtij komisioni u propozua Ragip Fetahu, i cili u miratua edhe nga Kuvendi./Llapi.info