Ish-kryeparlamentari dhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ndodhet në Kosovë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të babait të tij. Veseli është lejuar nga Dhomat e Specializuara të zhvillojë vizitën nën monitorimin e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Informacionin për vizitën e Veselit e ka konfirmuar për Gazetën Expess zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Speciales tha se për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë vizitën e Veselit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë”. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Express.

Për vizitën e Veselit nuk është deklaruar askush nga PDK-ja, ndërsa mediat lokale kanë publikuar pamje nga momenti kur ish-kreu i PDK-së shihet në Mitrovicë.

Ai është parë duke dalë nga spitali i Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, aty ku po trajtohet babai i tij.

Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.