Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, është deklaruar pas reagimeve të shumta që ngjalli një deklaratë e saj e bërë vite më parë për Gjykatën Speciale dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku thoshte se do të ndihmonte me materiale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla Schwarz ka thënë se asnjëherë nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë.
“Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kuvendi i Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Sa i përket akuzave drejt saj, Gërvalla ka thënë se sot po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje që sipas saj, është e turpshme.
“Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.”, shkruan tutje Gërvalla.
Postimi i plotë i Gërvallës:
Dje, sot por edhe nesër!
Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.
Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.
Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.
Shumë punë na presin, vërtet.