Nuk ka kaluar në Kuvendin e Podujevës plotësim-ndryshimi i Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, me të cilin synim ishte lirimi nga taksa komunale shumicën e bizneseve në këtë Komunë, shkruan Llapi.info.

Ky propozim-ndryshim që të lirohen bizneset llapjane nga taksat komunale e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj. Por, miratimi i kësaj pike u pamundësua nga LDK që votoi kundër dhe PDK që abstenoi.

Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj kërkoi nga këshilltarët të përkrahin këtë propozim rregullore dhe të vënë në diskutim publik me qytetarë.

“Subjektet afariste që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Komunës së Podujevës lirohen nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste. Përjashtim nga paragrafi 1 të këtij neni bëjnë subjektet afariste që ushtrojnë veprimtari si vijon: Institucionet financiare të pagesave dhe transfereve paguajnë taksë vjetore prej 100 euro, institucionet mikro-financiare kreditore 1000 euro, bankat 2000 euro, kompanitë e sigurimeve 300 euro, kompanitë e telekomunikimit-telefonisë mobile 1000 euro, kompanitë e shpërndarjes së internetit dhe rrjetit kabllor 800 euro, terminalet doganore 2000 euro, të gjitha këto për një vit. Kurse, Qendrat tregtare me sipërfaqe prej 500-1000m2 paguajnë taksë vjetore 500 euro, ato me sipërfaqe prej 1000-2000m2 paguajnë 1000 euro, me sipërfaqe mbi 2000m2 paguajnë 2000 euro”, ka thënë Balaj.

Në po këtë rregullore është folur edhe pompat e derivateve, të cilat janë kategorizuar sipas qarkullimit, ku janë ndarë në dy zona.

 “Subjektet afariste që merren me shitjen e karburanteve dhe lubrifikanteve ngarkohen në bazë të numrit të aparateve për shitjen e karburanteve dhe lubrifikanteve në pikën e shitjes. Një aparat për shitjen e karburanteve dhe lubrifikanteve do të ngarkohet varësisht prej zonës që operon subjekti afarist dhe atë: qytet dhe magjistrale Merdar-Podujevë-Lupç 100 euro, zonat tjera 30 euro. Lirimi nga taksa komunale vjetore e subjekteve afariste nuk nënkupton lirimin nga obligimet-borxhet e vjetra”, thuhet në plotësim-ndryshimin e kësaj rregulloreje.

Në emër të grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Patriot Rudari, është shprehur se ky grup përkrah këtë propozim ndryshim.

Në anën tjetër, kundër kësaj rregulloreje kanë dalë këshilltarët opozitarë të LDK-së. Në emër të kësaj partie, Hasan Ajeti ka thënë se kjo rregullore, sipas tij, diskriminon disa kategori.

“Lidhur me këtë propozim vendim, Grupi i Këshilltarëve të LDK-se e ka shqyrtuar materialin. Nga kjo vërehet një diskriminim, ku nuk përputhet me situatën me pandeminë. Kjo, po ashtu nuk përputhet as me vendimin e mëhershëm për lirimin nga taksat. Nëse nuk gaboj vlera e taksës vjetore tash është 250 euro pagë vjetore, ndërsa me propozimin e ri bëhet 2000 euro. Nëse i shikojmë terminalet doganore është 250 euro e bëhet 2 mijë euro. Duke parë gjendjen me pandeminë dhe rrethanat që jemi, ne s’e përkrahim këtë, që të ketë këso diskriminimesh”, është shprehur ai.

Këtë rregullore s’e ka përkrahur as grupi parlamentari i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka abstenuar.

 “Te kategorizimi i pompave më pëlqeu që i ke ndarë, kurse për pjesën tjetër jam skeptik pasi ka diku rritje për 300 për qind”, ka thënë Rafet Llapashtica nga ky subjekt politik.

Pas diskutimeve, ky propozim për ndryshim që të vihet në diskutim s’ka kaluar. Pro ka votuar Lëvizja Vetëvendose, LDK kundër dhe PDK ka abstenuar./Llapi.info