Brenda 24 orëve të fundit numri i rasteve të reja me koronavirus ka rezultuar me numër dy shifror, numër ky më i ulëti që prej shumë muajve, ani se numri i testeve të bëra është mbi një mijë sosh.
Mirëpo, nga IKSHPK thonë se zvogëlimi i testimeve nuk ka të bëjë me mungesën e kiteve apo materialeve shpenzuese, por që ka rënë kërkesa e qytetarëve për testim.
Në fakt, gjatë ditës së sotme vetëm 200 qytetarë kanë shkuar për t’u testuar në qendrën e testimit në IKSHPK.
Mantelbardhi, Driton Vela, pohon se masat e vëna në muajin prill kanë sjellë efekte pozitive në uljen e parametrave negativ.
Megjithatë, edhe pse në Kosovë e Shqipëri situata epidemiologjike është më e mirë, në Maqedoninë e Veriut përkundër tendencës së rënies së rasteve të reja, mortaliteti nga COVID-19 në këtë shtet mbetet ende shumë i lartë në raport me shtetet fqinje.
Por, kjo situatë sipas gazetarit të Televizionit Publik të Maqedonisë, Zekirja Mexhiti, vjen për shkak se institucionet Maqedonase kanë vendosur një politike se çdo pacient që vdes nëpër spitale pavarësisht sëmundjeve, iu nënshtrohen testimit për COVID-19 edhe pas vdekjes, duke mos përjashtuar edhe elementin tjetër, mosha e shtyre e popullsisë në këtë vend.