Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar zhvillimet politike që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës.
Ai po ashtu foli edhe për largimin nga salla të deputetëve të LDK-së, pasi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i është ndalur fjala.
Abdixhiku thotë se të mos jepet fjala për një mocion procedural është e paarsyeshme.
“Tani nga ajo që kam zhvilluar një bisedë me shefin e GP të LDK-së, kam kuptuar se fjala është kërkuar për mocion procedural dhe të gjithë ata që kanë qenë njëherë në Kuvend e dinë që çdo deputet ka të drejtë të ngritë mocion procedural në çfarëdo kohe dhe është totalisht e paarsyeshme dhe e pakuptimtë pse nuk u ipet fjala për një mocion të tillë. Konsideroj se sjella e tillë, në tendencë të ndalimit të fjalës së lirë është më tepër pjesë e një paralajmërimi që e kam bërë në fjalën time të parë në rastin e formimit të qeverisë që pushteti që i ka të gjitha nuk guxon të sillet si opozitë sepse, kur sillet si opozitë provon diktat e autoritet të panevojshëm”, tha Abdixhiku në Rubikon.
Ai është pyetur nëse ky është diktat.
“Po tani kur ia ndalon fjalën opozitës në Parlament, opozita vetëm fjalën ka dhe fjala e lirë duhet të ushtrohet, për atë arsye është parlamenti. Nëqoftëse dikush ka problem me fjalën e lirë është e pakuptiumtë në systemin politik. Tani që kjo Lëvizje ka shumicën s’e kuptoj nga çka frikësohet, nga argumenti i fjalës së deputetëve tanë. Kjo qasje është më tepër arrogancë e numrave që ka paralajmëruar e që po shfaqet jo vetëm ndaj partive të opozitës por edhe ndaj medias.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ia ka ndalur fjalën shefit të Grupit Palramentar, Arben Gashi, i cili po ankohej lidhur me hapësirën e pabarabartë që sipas tij kryesuesja e Kuvendit po ua ofron ministrave dhe deputetëve.
Kujtojmë se sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ka pasur përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së.