Në Kosovë ekziston një prirje e të rinjve për t’u larguar nga vendi, në kërkim të mundësive dhe një jete më të mirë. Por janë shumë të rralla rastet kur dikush nga Perëndimi vendos të kthehet në vendlindje për t’i kontribuar shoqërisë. Një ndër ta është Egzon Gashi, shqiptaro-amerikani që deri para tre vitesh jetonte në ShBA.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shpjegon arsyet që e shtynë të merrte këtë vendim dhe tregon për punën që po bën në Kosovë për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Kolegu Burim Goxhuli e takoi atë në Uashington, ku ai kishte ardhur për t’u takuar me të afërmit dhe me kolegë universitetesh.

Në vitin 1992, kur Egzon Gashi ishte vetëm gjashtë muajsh, familja e tij emigroi në Amerikë.

Një histori e ngjashme me atë të shumë familjeve shqiptare, që në atë kohë u detyruan të braktisnin Kosovën.

Por pas 25 vjetësh, në vitin 2018, Egzoni vendos të kthehet në vendin e lindjes.

“Vazhdimisht me familje, me nënë, baba, vëlla dhe motra kemi shkuar në Kosovë çdo verë dhe kemi qëndruar atje prej ditës, që ka mbaruar shkolla në Amerikë, deri në shator, kur ka filluar shkolla. E kemi kaluar gjithë verën në Kosovë. Në atë kohë takoja shumë kusherinj, dajë, teze, xhaxhallarë dhe jam lidhur shumë personalisht me Kosovën dhe gjithmonë e kisha një përshtypje që ndoshta dikur do kthehem në Kosovë për të kontribuar, për shkak se kisha një lidhje të veçantë me vendlindjen”, thotë ai.

Egzoni u kthye në Kosovë pasi kreu studimet pasuniversitare në dy prej universiteteve më të mira në botë, fillimisht për marrëdhënie ndërkombëtare në Oksford e pastaj edhe në fushën e edukimit në Johns Hopkins.

Veç njohurive të fitura gjatë studimeve, Egzoni solli në Kosovë edhe degën e rrjetit global “Teach for All”, një organizatë që synon përmirësimin e cilësisë së edukimit të vendeve në nevojë.

“Në fillim kisha në plan të qëndroja në Kosovë vetëm tre vite, të sillja idenë e organizatës atje dhe t’ia lë dikujt tjetër për ta udhëhequr. Por aq mirë po shkojnë punët dhe aq shumë po më pëlqen Kosova në përgjithësi, saqë tash e kam pa afat qëndrimin në Kosovë. Në qershor bëhen tre vite dhe për aq sa kaloj mirë dhe kam përkrahje, kam në plan të vazhdoj atje”, thotë Egzoni.

Prej dy vjetësh “Teach for Kosova” zbaton një projekt që ofron mundësi karriere për të rinj të shkolluar jo vetëm nga fakulteti i edukimit por edhe nga degë të tjera të Universitetit të Prishtinës.

“Ne çdo vit rekrutojmë të rinj të sapodiplomuar, ose që janë në fillim të karrierës, i angazhojmë për një periudhë dy vjeçare në mësimdhënie. Paraprakisht kemi një trajnim pesë-javor që quhet instituti i “Teach for Kosova” ku i trajnojmë mësimdhënësit që të jenë të gatshëm për ditën e parë të mësimit, që fillon në shtator. Pastaj këta vendosen si mësimdhënës të rregullt. Qëllimi është të sjellim rini të talentuar në edukim duke i dërguar ata në shkollat më me nevojë në Kosovë”, thotë ai.

Në dy vitet e para organizata rekrutoi 37 të sapodiplomuar ndërsa synon 20 deri 25 të rinj çdo vit. Sipas Gashi kjo është shifër e mjaftueshme pasi Kosova nuk ka mungesë të mësuesve, por të cilësisë së tyre, ndërsa shton se mësimdhënësit duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të vazhdueshëm.

“Kur bëhet dikush mësimdhënës në Kosovë pak a shumë shihet si një pozitë e përhershme edhe përgjegjësi ka, por llogaridhënie nuk ka. Në Kosovë është problem përmirësimi i sistemit të arsimit. Përveç kësaj, politizimi i sistemit të arsimit është shumë i theksuar në Kosovë, fatkeqësisht. Shpesh herë vendet e punës bazohen në partinë politike që mbështet, apo në lidhjet që ke me njerëz të komunës ose fshatit dhe është e pamundur që dikush i Klinës të japë mësim në Mitrovicë, duke kufizuar kështu mundësitë e mësimdhënës”, thekson ai.

Shqiptaro-amerikani beson se ndryshimi mund të arrihet por me më shumë përkushtim dhe besim nga rinia në Kosovë.

“Do t’u sugjeroja të rinjve të mbështeten tek njëri tjetri. Sepse kemi shumë të rinj, mbi 50 për qind e popullsisë është nën 30 vjeç. Nëse bashkohen, ata mund të bëjnë ndryshime në vend. Mund të sjellin ndryshime të shpejta sepse Kosova është vend i vogël. Pra të mos jenë të dëshpëruar, por ta kuptojnë se edhe në vendin tënd mund të sjellësh ide dhe ndryshime. Dhe mund të kesh sukses. Ndoshta unë jam një shembull, që jam kthyer prej Amerikës atje, por e di që kam edhe shumë shokë që qëndrojnë atje dhe kanë shumë sukses”, thotë ai.

Projekti i radhës i organizatës “Teach for Kosova” është të ftojë shqiptarë të diasporës, që duan të ndjekin shembullin e Egzonit për kontribuar në vendlindje.

Ai shpreson që një ditë rrjeti “Teach for All” të përhapet edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.