Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës, Pajtim Balaj, ka thënë se nesër (e diele) do të jetë ditë pushimi, siç ka qenë deri më tani, teksa ka shtuar se ka pasur zëra që kjo ditë do të jetë ditë pune, njofton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Balaj ka thënë se organet komunale do të jenë terren, gjersa ka deklaruar se kjo do të jetë kësisoj sipas rregullores së miratuar në Kuvendin e Podujevës.
“Meqë individë papërgjegjshëm të disa prej bizneseve të mëdha, po manipulojnë duke u thirrur në emër të Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, po detyrohem të reagoj këtu. DPZHE nuk ka kompetencë që ta lejoj askënd të punoj apo të mos punoj ditën e diel. Kjo çështje përcaktohet nga Rregullorja Komunale, të cilën e kanë votuar përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend. Kurse Inspeksioni është organi kompetent për të zbatuar Rregulloren çdo ditë të javës, duke përfshirë të dielën”, ka shkruar ai.
“Ditë më pare ua kemi shpërndarë nga një kopje të Rregullores shumicës së bizneseve që furnizojnë me produkte konsumi, që ta kenë më të lehtë zbatimin e saj. Secila nga to e kanë shumë të qartë, se për aq gjatë sa Rregullorja është në fuqi, dita e diel është ditë PUSHIMI. Thirrja e punëtorëve që të dalin nesër në punë dhe për më shumë mashtrimi që bëhet duke u thirrur në “leje” nga DPZHE, nuk do të kaloj dhe organet kompetente do të jenë gati për t’u marrë me të gjithë abuzuesit”, ka shkruar Balaj./Llapi.info