Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe te varret e dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.
Konjufca tha se Ilir Konushevci është njëra prej figurave më të rëndësishme të UÇK-së.
“Së bashku me kryeministrin jemi këtu përballë varrit të heroi Iliri Konushevci i cili së bashku me doktorin Hazir Mala kanë rënë këtu 23 vite më parë duke i shërbyer kombit tonë në luftën tonë çlirimtare. Ilir Konushevci është njëra prej figurave më të rëndësishme të UÇK-së, do të ishte i pa mendueshëm në fillesat e veta organizimi i UÇK-së dhe i luftës pa kontributin e jashtëzakonshëm të Konushevcit”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shtuar se rënia e tij 23 vite më parë, ka qenë humbje e madhe për organizmin dhe logjistiken e UÇK-së.
“Ai do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë prej kombit shqiptar si njëri prej heronjve më të rëndësishëm të luftës tonë. Lavdi”, tha Konjufca.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti tha se Ilir Konushevci dhe Hazir Mala kanë qenë punëtor të zellshëm për luftën çlirimtare, e më pas edhe luftëtarë të mëdhenj që çlirimin e vendit e kishin punë të përditshme.
“Rënia e tyre e ngriti vetëdijen te të gjithë qytetarët tonë, se duhet organizuar sa më parë për çlirimin e vendit. Ilir Konushevci dhe Hazir Mala e kuptonin se faktori i brendshëm është vendimtarë për çlirimin e vendit. Dëshmorët janë dëshmuar dhe ne duhet të dëshmohemi tek ata, dhe të ecim drejt në rrugën që kanë shtruar ata. Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kanë kryer punë më të rëndësishme, neve na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës të cilën duhet ta kryejmë me nderë me progresin më mendje e dëshmorët në zemër. Lavdi”, u shpreh Kurti.