Synetia falas për fëmijët llapjanë është paraparë të fillojë sot, por për shkak të mungesës së licencës së mjekësve turk nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ajo është shtyr për nesër.

Agron Hyseni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Podujevë, ka bërë të ditur për llapi.info arsyet e shtyerjes së synetisë falas për fëmijët llapjanë.

“Ne kemi kërkuar lejen e Ministrisë së Shëndetëisë nga mjekët turk për të filluar këtë punë. Deri dje ka qenë afati i fundit për t’i dorëzuar të gjitha këto dokumente dhe ata nuk kanë mundur t’i dorëzojnë. Presim që sot gjatë ditës t’i dorëzojnë këto dokumente dhe të fillojnë punën nesër”, ka thënë Hyseni.

Ai ka treguar për llapi.info se të njëjtit mjekë kanë kryer këtë punë edhe në komunat tjera dhe ka menduar që e kanë këtë licencë. Por, komunat tjera nuk e kanë kërkuar këtë dokument dhe kanë lejuar punën e mjekëve turk pa licencë.

“Kemi menduar që mjekët turk i kanë dërguar dokumentet në Ministrinë e Shëndetëisë, pasi të njëjtën punë
e kanë kryer edhe në komunat tjera. Por, kur unë e kam kërkuar këtë dokument ata nuk e kanë pasur dhe nuk
kam lejuar të fillojë puna derisa të sigurohet ky dokument nga Ministria e Shëndetëisë”, ka shtuar Hyseni.

Synetia falas për rreth 200 fëmijët llapjanë pritet të fillojë nesër në ora 08:00 në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare./llapi.info