Brenda një jave, ushtrimi më i madh ushtarak i SHBA-së që nga Lufta e Dytë Botërore, e përfshinë edhe Kosovën.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbi 1 vit e gjysmë që përgatitet t’i ushtrojë 330 ushtarë të saj bashkë me 26 kombe tjera për t’u bërë pjesë e aktiviteteve ushtarake në kuadër të Defender 21, njofton Klan Kosova.

Ushtrimet teorike veçse kanë nisur këtë të hënë në Gjakovë për t’iu paraprirë atyre praktike.

Shefi i departamentit për operacione dhe trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kolonel Ejup Maqedonci, ka treguar se cila do të jetë përmbajtja e ushtrimit.

“Njësia jonë do të zhvendoset në Babaj të Bogës për të kryer një operacion të rikthimit të gjendjes në normalitet pasi që në skenarin që e kemi përgatitë me ushtrinë amerikane është paraparë një depërtim i armikut brenda zonës”.

Nga 28 mijë trupa të shpërndarë në Ballkan, Detin e Zi dhe vendet Baltike, në Kosovë do të zbarkojnë nikoqirët e Defender, ushtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do ta mbështesin FSK-në në këmbësori.

E vetë ushtarët e Kosovës do të ushtrojnë edhe në Shqipëri si vend mik, dhe në Kroaci.