Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherit deputet, thotë se ekonomia e vendit kërkon vëmendje të përhershme.
Duke u thirrur në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ai thotë se të dhënat tregojnë për rritje të deficitit tregtar në shkallë 45.8% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Haradinaj shkruan më tej në Facebook se Qeveria Kurti urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit.
Postimi i tij:
Të dashur qytetarë,
Ekonomia e vendit kërkon vëmendje të përhershme. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë veprime konkrete për të ndalur thellimin e deficitit të bilancit tregtar, përmes përkrahjes direkte të prodhuesve vendor, veçanërisht të eksportuesve.
Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për Tregtinë e Jashtme të Mallërave në Kosovë, për muajin mars 2021, tregojnë për rritje të deficitit tregtar në shkallë 45.8% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deficiti i cili në marsin e kaluar ka qenë 219.9 milionë euro, në marsin e këtij viti ka arritur në 320.7 milionë.
Thellimi i mëtutjeshëm i raportit të tregtisë së jashtme në disfavor të eksportit, është rrënim i atyre pak të arriturave të deritashme dhe kthim i ekonomisë së Kosovës në pikën zero.
Andaj, e ripërsëris që qeveria urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit.
RH