Komuna e Podujevës pritet ta funksionalizime Tregun e Gjelbër në këtë Komunë, i cili ka përfunduar së ndërtuari vite më parë, njofton Llapi.info.

Në një takim të zhvilluar nga drejtorët dhe tregtarëve është thënë se me funksionalizimin e tregut synohet t’i jepet fund shitjes në rrugë.

“Me iniciativë të drejtorëve, Pajtim Balaj, drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Fevzi Jetullahu, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Bedri Maçastena, drejtor i Inspeksionit, sot u mbajt takim i përbashkët më përfaqësues te shitësve ambulantë të cilët veprojnë afër Tregut të Gjelbër. Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Pajtim Balaj tha se qëllimi i këtij takimi është të diskutojmë dhe të nxjerrim idetë më të mira për funksionalizimin e Tregut të Gjelbër dhe përmes kësaj t’i japim fund shitjes në skajet e rrugëve, të cilat paraqesin rrezik dhe shumë herë edhe pengojnë komunikacionin dhe veprimtaritë tjera”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, tregtarët në këtë takim kanë kërkuar nga organet komunale që t’ua heqin mbulimin e qirave për lokalet e pashfrytëzuara deri më tani në këtë Treg.

“Tregtarët pjesëmarrës në takim, qoftë nga sektori i pemëve dhe perimeve, por edhe të veprimtarive tjera kërkuan nga përfaqësuesit e ekzekutivit të ndërmirren hapat e nevojshëm për mbulimin e çirave, për lokalet e ndara për ta vite më parë, e që nuk janë funksionalizuar asnjëherë. Në takim, po ashtu u kërkua nga komuna që të krijohet mundësi e barabartë për të gjithë shitësit, si dhe të sigurohet një lokacion i përshtatshëm ku do të mund ta zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shitësit të cilët në treg dalin vetëm ditën e shtunë, në mënyrë që mos të paraqesin pengesë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre”, thuhet tutje.

“Përfaqësuesit e ekzekutivit u zotuan se bazuar në idetë që dolën nga takimi dhe në kompetencat e komunës në ditët në vijim do të ndërmerren veprimet e nevojshme për të cilat do të njoftohen edhe përfaqësuesit e bizneseve në fjalë”, ka njoftuar Komuna.

Llapi.info ka raportuar shpeshherë për mosfunksionalizimin e këtij Tregu, ku shitësit ambulantë zënin trotuaret me mallra dhe pengonin zhvillimin e komunikacionit./Llapi.info

Tregu i dështuar i Podujevës