Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar sot ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, nga i cili ka kërkuar mundësinë e financimit të projektit të Spitalit të kësaj Komune, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar kumtesa komunale, Vitia është shprehur i interesuar për ndihmë dhe bashkëpunim në këtë institucion lokal.
“Sot kam zhvilluar takim me Ministrin e Shëndetësisë, z.Arben Vitia, të cilin e urova për detyrën e re. Njëkohësisht shpreha gatishmërinë time të plotë për të thelluar bashkëpunimin ndër-institucional. Ministri Vitia më informoi për sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet si dhe për angazhimin e tij të parreshtur për sigurimin e vaksinave anti-COVID. Me këtë rast prezantova disa prej masave që i kemi ndërmarrë në Komunën e Podujevës për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Ndërsa, shpreha indinjatën time të thellë për anulimin e projektit për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës nga qeverisja e kaluar dhe diskutuam për mundësinë e financimit të këtij projekti me shumë rëndësi për qytetarët e Podujevës”, ka njoftuar Komuna.
“Ministri Vitia u shpreh shumë i interesuar për ndihmë dhe bashkëpunim me ne si institucion lokal. Gjithashtu ai përcolli përvojat nga e kaluara e tij si drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, të cilat janë shumë të vlefshme për ne si qeverisje e re lokale. Në këtë takim ishim bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliun”, thuhet tutje.
Ndërtimi i këtij spitali është kryer për më shumë se pesë vjet, por që i njëjti nuk është funksionalizuar në tërësi asnjëherë. Pas përfundimit të zgjedhjeve të 29 nëntorit për kryetar të Podujevës, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit s’u përfshi në buxhetin e vitit 2021, edhe pse kjo çështje është diskutuar pikërisht në fushatë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe ish-zyrtarëve komunalë të LDK-së./Llapi.info
Podujeva pa spital