Kroacia do ta rrisë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s.
Një gjë e tillë është konfirmuar sot nga presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, i cili tha se vendi i tij do të dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, raporton Index.hr.
“Ne kemi një kohë të re para nesh. Për disa ditë, 150 ushtarë tanë do të shkojnë në Kosovë. Kjo i shqetëson fqinjët tanë, megjithëse nuk ka për qëllim t’i shqetësojë ata, nuk synon një provokim, është e drejta jonë. Ne marrim pjesë në të dhe do të sillemi në atë mënyrë,” tha Milanoviq duke iu përgjigjur pyetjes së mediave rreth kritikave nga Serbia për shkak të dërgimit të trupave shtesë në kuadër të KFOR-it.
Shtimin e kontingjentit kroat në kuadër të KFOR-it e ka konfirmuar edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, ministri i Jashtëm Gordan Gërliq-Radman.