Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor nesër pritet të takohet në Kosovë me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin. Vizitën dhe takimin mes tyre e ka konfirmuar për Sinjalin, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Kupina tha se presidenti slloven nesër do të arrijë në Kosovë dhe do të takohet me Osmanin.
“Po, presidenti slloven, Borut Pahor do të arrijë nesër në Prishtinë, dhe do të ketë takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”, tha Kupina.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor vjen në Kosovë pas publikimit të disa dokumenteve “non-paper” që supozohej se kanë dalur nga shteti slloven, konkretisht zyra e kryeministrit Janez Jansha.
Megjithatë presidenti slloven, Borut Pahor ishte deklaruar lidhur me “non-paper” në një konferencë për media para gati një muaj.
“Kudo dhe në çdo kohë kam mundësinë të shpjegoj pozicionin tim në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, unë shpjegoj sa vijon. Së pari, unë mbështes fuqimisht zgjerimin e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor. Së dyti, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një çështje gjeopolitike e kategorisë së parë. Së treti, unë mbështes tezën se, në të gjitha rrethanat, do të ishte më mirë nëse BE vendos të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE në një kohë të shkurtër të arsyeshme dhe të rregullojë strategjinë e saj të zgjerimit në përputhje me rrethanat. Së katërti, zgjerimi i BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më shumë çështje kohe, jo vetëm e vullnetit politik. Së pesti, zgjerimi më i shpejtë i BE-së në Ballkanin perëndimor do të zvogëlojë gjithashtu rëndësinë e ideve naive dhe të rrezikshme për ndryshimin e kufijve që nuk mund të ndodhin paqësisht për shkak të rrethanave. Unë i hedh poshtë të gjitha ato ide për ndryshimin e kufijve. Së gjashti, një proces më i shpejtë i përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor do të forconte ndjeshëm parimin e integritetit territorial të shteteve, të zgjidhte çështjet e tyre bilaterale dhe të forconte ndjeshëm stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës “, kishte thënë Pahor në një konferencë për media.