Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani.
Duke vlerësuar lart figurën e tij, kryeministri Kurti tha se Agron Rrahmani bashkë me Bahri Fazliun, sikurse edhe më herët Afrim Zhitia e Fahri Faziliu, ishin luftëtarë çlirimtarë të cilët ranë në betejë të drejtpërdrejtë me forcat armike, e që paraprakisht ishin veprimtarë politikë, ndërkaq sot janë dëshmorë të kombit.
“Agroni, sikurse edhe të gjithë shokët e tij nuk e duronin padrejtësinë, pabarazinë, shtypjen, shfrytëzimin dhe u angazhuan tërë jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe bashkimin e kombit”, tha kryeministri Kurti.
“Agron Rrahmani është frymëzuar prej veprimtarëve që i kanë paraprirë, ndërsa sot është pjesë e lavdishme e historisë sonë, e cila përbën edhe themelet e institucioneve tona, por, në të njëjtën kohë, tregon rrugën se kah ato duhet të vazhdojnë për t’u zhvilluar.
Historia e kombit tonë përbëhet nga dëshmorët, kurse ardhmëria jonë varet nga besnikëria ndaj tyre”, tha Kurti.