Në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në futboll për sezonin 2020/2021, shkruan Llapi.info.
Dukagjini nga Klina dhe Llapi nga Podujeva janë dy skuadrat që janë treguar më të forta se kundërshtarët e tyre duke arritur deri në fund të kësaj gare.
Me triumfin në Kupën e Kosovës, ekipi fitues automatikisht do të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, garë e re e themeluar nga UEFA, që do të zhvillohet prej edicionit të ardhshëm.
Pak para ndeshjes, lojtarët llapjanë i ka vizituar edhe kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit duke iu uruar sukses, ka premtuar edhe premi për lojtarët.
“Para finales së madhe vizitova futbollistët dhe stafin teknik të K.F Llapi. I përgëzova futbollistët për suksesin e arritur dhe ju dëshirova suksese sonte. Jam shumë i bindur që pas 89 viteve si klub sot Llapi stoliset me trofeun e Kupës së Kosovës. Ju thashë që krejt Llapi sot i ka sytë tek ta, le të na bëjnë krenar! Po ashtu në rast fitore ju premtova një premi prej 10000 Euro që do të ndajmë si institucion për futbollistët”, ka shkruar ai në Facebook./Llapi.info