Kryeprokurori i Shtetit, kreu i IKSHPK-së e së fundmi edhe një i emëruar i Qeverisë Kurti mbajnë deri në gjashtë vende pune – shumicën punë të shtetit.

Gjetja e një vendi pune vazhdon të mbetet sfidë për shumë kosovarë. Por, për dallim prej tyre, ka disa që kanë deri në gjashtë vende të punës.

I tillë është edhe rasti i profesorit Naser Ramadani. Ai udhëheq me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tash e 15 vjet.

E pavarësisht punës që bën në IKShP, atij i del kohë që të bëjë edhe punë të tjera.

Bazuar në regjistrin për deklarimin e pasurisë të publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit para një viti, ai ushtronte shtatë funksione.

Ai merrte 14 mijë euro IKSHP-ja, rreth tetë mijë euro nga Universiteti i Prishtinës, mbi 1 mijë euro të tjera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, rreth 5 mijë e 300 euro nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (deri kur u shkarkua Bordi nga Qeveria Kurti 1) dhe mbi 1 mijë e 700 euro nga Ministria e Shëndetësisë.

Te të dhënat e tjera, profesor Ramadani kishte deklaruar se merr edhe rreth tetë mijë euro nga një kolegj privat dhe 9 mijë e 180 euro nga konsulenca KFOR-NATO.

Në total, të hyrat vjetore të tij sillen rreth 48 mijë euro.

Por, Ramadani nuk është i vetmi që kryen më shumë se një punë.

Gjashtë funksione i kryente deri vonë edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Përveç funksionit si Kryeprokur i Shtetit, Lumezi është edhe anëtar i Bordit në Akademinë Policore, kryetar i Bordit në Akademinë e Drejtësisë, anëtar i Këshillit Prokurorial, anëtar i Bordit të Inteligjencës Financiare, derisa deri vjet ka qenë edhe kryetar i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Por, pavarësisht se kryente të gjitha këto funksione, nga Prokuroria e Shtetit kishin sqaruar se Lumezi pranon vetëm një pagë.

“Ndërsa, në bazë të ligjeve në fuqi, Kryeprokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare “ex officio”, e ka për obligim të jetë i angazhuar edhe si anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Rrjedhimisht, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një page”, kishin deklaruar nga Prokuroria.

Paga e tij vjetore për këto funksione, bazuar në regjistrin e publikuar në AKK, është 41 mijë e 285 euro.

Javët e fundit është zbuluar edhe një “supermen” tjetër. Bëhet fjalë për gjyqtarin Albert Zogaj, i cili është votuar nga Qeveria për të marrë përsipër kryesimin e Komisionit për Provim të Jurisprudencës.

Koha.net raportoi dje se Zogaj aktualisht kryen pesë funksione. Ai është gjyqtar në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, professor në Kolegjin AAB, ligjërues në Akademinë e Drejtësisë dhe konsulent në një OJQ.

Gazeta Express ka kontaktuar me Zogajn për ta pyetur nëse qëndrojnë këto raportime, mirëpo i njëjti vetëm ka thënë se s’ka koment dhe e ka mbyllur telefonin.

“Besoj që është trajtuar kjo çështje. S’kam koment”, ka thënë Zogaj.

Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Zogaj merr nga KGJK’ja 26 mijë euro në vit, rreth 5 mijë e 500 euro nga AAB’ja, si dhe rreth 7 mijë euro, si kompensim, honorar, mëditje për pjesmarrje në trajnime për gjyqtarët, bashkpuntorët, zyrtarët ligjor dhe juristët si dhe për pjesmarrje në tryeza dhe udhëtime jashtë vendit.