Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas pamjeve tek salla ‘1 Tetori’ në Prishtinë, ku shihen një numër i madh i personave që presin në radhë për vaksinim.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se kjo është papërgjegjësi dhe Qeveria është e tëra në gjumë.

“Papërgjegjësi! Ky s’është vaksinim. Është akt i dërgimit të t’moshuarve në përballje për jetën. Një Qeveri e tërë në gjumë!”, ka shkruar ai.

Lidhur me gjithë rrëmujën e shkaktuar tek qendra e vaksinimit në Prishtinë, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Përmes një komunikate, nga MSH thonë se tollovia u shkaktua shkaku se në këtë qendër po vijnë të vaksinohen edhe qytetarë të komunave të tjera.

Ndryshe, procesi i vaksinimit u ndërpre të premtën shkaku i festës së Fitër Bajramit.

Ndërsa sot vaksinimi do të filloi nga ora 08:00 e do të zgjasë deri në orën 19:30 dhe do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeçare. Prioritet thuhet se do të kenë ata që janë regjistruar në platformën e-Kosova.

Për banorët e kryeqytetit, vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori”, derisa nëpër komunat e tjera, vaksinimi do të kryhet nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Vaksinimi do të vazhdojë edhe gjatë vikendit në të njëjtin orar.

Kujtojmë se Kosova gjatë këtyre ditëve ka pranuar një kontingjent të ri të vaksinave.

Fillimisht të hënën arritën 3 mijë doza ta vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian. Kurse të mërkurën në Kosovë arritën 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX.

Ministria e Shëndetësisë, që nga mbërritja e 24 mijë dozave të vaksinës anti-COVID në mars të këtij viti, ka zbatuar Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për t’u vaksinuar.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Papërgjegjësi!

Ky s’është vaksinim. Është akt i dërgimit të t’moshuarve në përballje për jetën.

Një Qeveri e tërë në gjumë!