Zyrtarët palestinezë në Gaza kanë thënë se së paku shtatë anëtarë të dy familjeve u vranë nga sulmet ajrore që goditën një ndërtesë në një kamp të dendur në bregdetin e Gazës.

Thuhet se nga ky sulm mbijetoi vetëm një foshnjë 5-muajshe, e cila u gjet e mbuluar nga rrënojat, pranë nënës së saj, shkruan BBC.

Ministri i Shëndetësisë në Gaza, i cili gjithashtu është anëtar i Hamasit, e cilësoi këtë sulm si masakër. Krahu ushtarak i Hamasit tha se hodhi raketa në drejtim të jugut të Izraelit si kundërpërgjigje për këtë sulm.

Zyrtarët izraelitë thanë se rreth 200 raketa janë hedhur nga Gaza në drejtim të Izraelit gjatë natës, ndërsa ka pasur goditje të drejtpërdrejta në banesa në qytetet Ashdod dhe Beersheba, por pa pasoja në njerëz.

Ndryshe, të premten gjithashtu pati luftime dhe u shënuan 11 palestinezë të vrarë gjatë përleshjeve me ushtrinë izraelite. BBC raporton se trazirat ka gjasë të vazhdojnë.