Shërbimet e Mbrojtjes së Izraelit dje kanë bombarduar Kullën Mediatike në Gaza ku ndodheshin edhe zyrat e Associated Press dhe Al Jazeera.
Përpara sulmit, Izraeli njoftoi se të gjithë personat që ndodheshin në këtë ndërtesë kanë një orë kohë që të evakuohen dhe se sinjali që do të sulmohet do të jetë ndërprerja e internetit në një pjesë të qytetit të Gazës.
Gazetarja Youmna al-Sayed kishte më pak se një orë që të arrinte në një vend të sigurt, pasi që kulla mediatike Al-Jalaa në të cilën ajo punonte u alarmua për sulm nga forcat izraelite.
Kulla Al-Jalaa, ishte një ndërtesë 11 katëshe në Gaza në të cilën ndodheshin zyrat e Associated Press, Al Jazeera, 60 apartamente banimi si dhe një numër zyrash të medieve të tjera kishte vetëm një ashensor që punonte.
Youmnja al-Sayed ka thënë për Al Jazeera se pas marrjes së alarmit ashensorin e kanë lënë që ta shfrytëzojnë të moshuarit dhe fëmijët në mënyrë që të evakuohen.
“Të gjithë ne vraponim shkallëve dhe kushdo që kishte mundësi t’i ndihmonte fëmijët i merrte ata jashtë ndërtesës. Unë personalisht i kam ndihmuar dy fëmijë për t’i nxjerrë jashtë ndërtesës, secili ishte duke vrapuar më shpejtësi”, ka thënë gazetarja e pavarur palestineze Youmna al-Sayed, shkruan Al Jazeera, transmeton KlanKosova.tv.
Disa momente përpara se të sulmohej ndërtesa, një gazetar i Associated Press zhvilloi një telefonatë me një oficer të inteligjencës së Izraelit të cilit i kërkoi disa minuta shtesë në mënyrë që t’i marrin gjërat që kishin brenda ndërtesës.
“Më jepni vetëm 15 minuta kohë, ne kemi shumë gjëra brenda, përfshirë kamera dhe gjëra të tjera” tha ai i cili ndodhej jashtë ndërtesës.
Edhe pronari i kullës, Jawad Mahdi gjithashtu tentoi të blinte më shumë kohë.
“Gjithçka po kërkoj është që katër njerëz tanë të hyjnë brenda dhe t’i marrin kamerat e tyre”.
“Ne i respektojmë dëshirat tuaja, ne nuk do ta bëjmë këtë nëse ju nuk na lejoni, por, na jepni neve 10 minuta kohë”, tha Jawad Mahdi, transmeton KlanKosova.tv.
Por, kjo kërkesë është refuzuar nga oficeri i shërbimit inteligjent izraelit duke thënë se ata tanimë i kanë dhënë një orë kohë që të evakuohen.
“Nuk do t’i keni 10 minuta, askush nuk do të lejohet të hyjë në ndërtesë, ne ju kemi dhënë një orë kohë që të evakuoheni”, ishte përgjigja e oficerit të shërbimit të inteligjencës sw Izraelit.
Kur kërkesa për më shumë kohë u refuzua, pronari i kullës, Jawad Mahdi tha se ata janë duke iu shkatërruar jetën, punën dhe të gjitha kujtimet. “Po e mbylli telefonin, bëni çfarë të doni, ka një Zot”, tha ai.
VIDEO: IDF airstrike destroys the Al-Jalaa building in Gaza, used as the offices of AP and Al-Jazeera. pic.twitter.com/I1HCr3Ld5k
— Conflict News (@Conflicts) May 15, 2021