Nga sulmet ajrore izraelite këtë të diel janë vrarë 33 palestinezë. Tetë nga këto viktima janë fëmijë.

Kjo u bë e ditur nga Zyrtarët e Shëndetësisë në Gaza, të cilët shtuan se militantët lëshuan një raketë në mëngjes herët në Izrael.

Pa asnjë shenjë për t’i dhënë fund shpërthimit më të keq të dhunës izraelite-palestineze në vite, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritej të takohej ditën e sotme për të diskutuar mbi armiqësitë e këtyre shteteve, shkruan Reuters, transmeton KlanKosova.tv.

Numri i të vdekurve në Gaza brenda natës u rrit në 181, duke përfshirë 47 fëmijë, mes një breshërie intensive ajrore dhe artilerie izraelite që prej shpërthimit të luftimeve të hënën e kaluar. Dhjetë njerëz janë vrarë në Izrael, duke përfshirë dy fëmijë.

Sulmet para agimit ishin nëpër shtëpi në qendër të qytetit të Gazës, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se Hamas, grupi islamik që drejton Gazën dhe grupe të tjera të armatosura kanë qëlluar më shumë se dy mijë e 800 raketa nga enklava brenda gjashtë ditësh.

Shumë prej raketave janë kapur nga një sistem izraelit anti-raketa ndërsa disa kanë rënë poshtë kufirit.