Javën e kaluar, Gjermania theu rekordin për Evropën, me numrin e vaksinimeve në një ditë, e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion të vaksinuar në 24 orë.Mungesa e vaksinave ishte problemi kryesor në tremujorin e parë të këtij viti, por që prej prillit, furnizimi ka qenë më i kënaqshëm.Nëse vazhdon rënia e incidencës, lehtësime në të gjithë Gjermaninë priten brenda pak javësh.
Vendi miratoi së fundi lehtësime për të gjithë ata që hyjnë e kthehen në Gjermani, një hap i rëndësishëm ky për pushimet e verës.
Me rregulloren e re të Covid 19 për udhëtimet hyrëse, të gjithë ata që hyjnë në Gjermani me avion janë të detyruar: ose të testohen, ose të paraqesin certifikatën e vaksinimit me një vaksinë të BE, ose të dëshmojnë se kanë kaluar e janë shëruar nga Covid 19.Kjo, pavarësisht nëse udhëtarët vijnë nga një vend që është zonë rreziku me incidencë mbi 50 apo jo.
Shqipëria prej disa ditësh nuk konsiderohet më zonë rreziku nga Gjermania. Por, kërkesat e mësipërme duhet t’i mbajnë parasysh edhe shtetasit e Shqipërisë. Që prej ditës së sotme, edhe shtetasit e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, nuk do të kenë më nevojë të karantinohen kur hyjnë në Gjermani, por të bëjnë vetëm një test, i cili duhet të dalë negativ.