Organizata “Kosovo Center for Peace” ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan, raporton Ekonomia Online.
Labinot Maliqi, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate, i bëri thirrje ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, që të heq ndalesën që u pamundëson vajzave me shami të vijojnë mësimin në shkolla.
Tutje ai tha që shpreson që Qeveria e re të largojë këtë vendim të padrejtë, siç e quan ai, ndaj komunitetit mysliman.
Ai ka thënë se kërkese e tyre është që vajzave me shami mbi moshën 11 vjeçare t’u lejohet ta vijojnë mësimin
“Departamenti ka publikuar një raport i cili flet për gjendjen e lirive fetare, dhe një pjesë për Kosovën e përmend padrejtësinë e madhe që i bëhet myslimanëve në Kosovë, e cila i ndalon dhe i privon pa të drejtë vajzat që të ndjekin mësimin për shkak të shamisë”.
“Ky vendim është më shumë se një dekadë dhe bie ndesh me të drejtat e njeriut, ne kemi kërkuar edhe më herët nga tre ministrat që të largohet dhe kjo ndalesë dhe privim që i bëhet pa të drejtë për shkak të shamisë, por fatkeqësisht as edhe një nga këta ministra nuk kanë pranuar nga ky diskriminim”.
“Unë dhe organizata jonë e falënderojmë departamentin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vendim të padrejtë që i pengon vajzat për të vijuar mësimin. Ne kemi kërkuar që kjo ndalesë të largohet, por me kufizim të moshës, pra të ndalohet deri në moshën 11 vjeç”.
“Ne kërkojmë që ta largojë sa më parë këtë ndalesë për vajzat dhe e kanë një mundësi ideale që ta vijojnë mësimin vajzat dhe të mos u privohet e drejta. Shpresojmë që qeveria e re të largojë këtë turp dhe këtë mohim të së drejtës”, tha Maliqi.
I pyetur për pritshmërinë e tij nga heqja e këtij vendimi nga Qeveria e re ai tha se kanë shpresa që të realizohet kërkesa e tyre, raporton EO.
“Nuk dëshirojmë të mendojmë që do bëjë diçka ndryshe, shpresat te kjo Qeveri i kemi shumë të mëdha”, theksoi tutje ai.