Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka thënë se punimet në rrugën nacionale Podujevë – Prishtinë do të bëhen me intensitet të lartë, raporton Llapi.info.

Ai në një postim në Facebook ka deklaruar se i gjithë projekti i kësaj rruge, siç është shprehur Haziri, do të rishikohet.

“Më në fund, ndërtimi i magjistrales Podujevë-Prishtinë (Besi-Merdare), do ta ketë vëmendjen e merituar, intensitetin e lartë të punimeve dhe rishikim total të projektit.  Do të bëhet shumë më shpejt. Do të bëhet shumë më mirë”, ka shkruar Haziri.

Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë kanië nisur për më shumë se pesë vjet. Për këtë janë ankuar qytetarë të shumtë, të cilët frekuentojnë këtë rrugë që lidh Llapin me kryeqytetin e Kosovës.

Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku. Por, edhe pas ndërrimit të pushteteve, MI është akuzuar se ka mungesë të planit të për ndërtimin e kësaj rruge, pasi në të, përveç tjerave, mungojnë vend-stacionet për autobusë e shiritat ndihmës. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për dinamikën e ulët të punimeve për këto vite vazhdimisht kanë fajësuar banorët për shpronësime.

Si pasojë e dinamikës dhe lënies së punëve në gjysmë, kjo rrugë, shpesheherë ka qenë e rrezikshme për vozitësit, ndërkohë që edhe numri i aksidenteve fatale për këto vite ka qenë i madh./Llapi.info