Disa fermerë kanë protestuar sot përpara objektit të Komunës së Podujevës, pas anulimit të projektit për shpërndarjen e motokultivatorëve, raporton Llapi.info.

Protesta është mbajtur në orët e hershme të mëngjesit, derisa për këtë është përkujdesur Policia e Kosovës. Fermerët kanë protestuar kundër këtij vendimi, derisa kanë kërkuar nga organet komunale që t’i bëhet një zgjidhje kësaj çështjeje.

Deri te anulimi i këtij projekti, siç thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës së Podujevës, është ardhur pasi për këtë projekt janë ofruar dy ofertues, të cilët, sipas njoftimit, kanë qenë të papërgjegjshëm.

Organizatori i kësaj proteste, Burim Hasani, ka thënë se anulimi i këtij projekti ka ndodhur më 11 maj, ndërkohë që ka shtuar se organet gjegjëse nuk kanë marrë asgjë në këtë drejtim. Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta.

“Kemi organizuar sot një protestë për t’i shprehur pakënaqësitë për anulimin e këtij projekti për motokulitvatorë dhe pajisje tjera përcjellëse. Anulimi i këtij ka ndodhur pasi siç thuhet kanë qenë dy ofertues të papërgjegjshëm. Ky vendim është marr vetëm nga Komuna dhe jo OSHP-ja. Ne s’e kemi detyrë si fermerë t’i gjejmë ofertuesit, por ne presim që Komuna t’i gjejë ofertuesit dhe buxhetin. Nuk duhet të ketë konkurs të ri, pasi i njëjti vetëm do të sjellë probleme”, është shprehur Hasani.

Ditë më parë është anuluar projekti për mbështetje të fermerëve më motokultiavtorë dhe pajisje përcjellëse në Komunën e Podujevës.

Sipas njoftimit të publikuar nga faqja zyrtare e Komunës, thuhet se në këtë projekt janë ofruar dy ofertues, të cilët sipas njoftimit, kanë qenë të papërgjegjshëm.

“Projekti i iniciuar më 30.09.2020, ku janë paraqitur dy ofertues, pas vlerësimit nga Komisioni, të dy OE kanë rezultuar të papërgjegjshëm për arsye të mospërmbushjes së kriterit të liferimit. Më 12.11.2020 është anuluar aktiviteti i prokurimit. Më 18.11.2020 është rishpallur aktiviteti pas hapjes së ofertave të datës 10.12.2020 janë paraqitur dy ofertues, komisioni ka vlerësuar dhe rekomanduar OE fitues. Mirëpo, EO tjetër ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues së Prokurimit, pas shqyrtimit ankesës nga OSSHP-ja, ka marrë vendim se të dy OR ofertues për furnizim janë të papërgjegjshëm dhe si i tillë anulohet projekti i prokurimit. AK pas vendimit të OSHP-së e anuloi aktivitetin e prokurimit. Ky aktivitet ka qenë i vitit të kaluar me buxhetit e vitit 2020. Buxheti i vitit 2021 nuk e ka parasheh këtë projekt dhe po ashtu nuk është në planin e prokurimit të vitit 2021”, thuhet në njoftim e anulimit të këtij projekti, i cili ngjalli pakënaqësi tek fermerët.

Llapi.info ka provuar gjatë tërë ditës të marrë një qëndrim nga zyrtarët komunalë se a do të bëhet një zgjidhje në këtë drejtim, por që nuk ka marrë përgjigje./Llapi.info

Anulohet projekti për shpërndarjen e motokultivatorëve, shprehen të pakënaqur bujqit në Podujevë