Është arrestuar një zyrtar doganor dhe një person tjetër për dhënie të ryshfetit dhe kontrabandim me mallra.
Zyrtari doganor do të suspendohet me efekt të menjëhershëm, ndërsa që do te iniciohet hetim mbi përgjegjësinë menaxheriale të mbikëqyrësit të zyrtarit në fjalë, njofton Dogana e Kosovës.
Siç njofton Dogana njësitet doganore mbrëmë kanë gjetur sasi të barnave në një veturë në afërsi të pikë kalimi kufitar dhe në bazë të dyshimit të arsyeshëm është arrestuar personi dhe zyrtari doganor.
“Në orët e mbrëmjes, zyrtaret doganor pas dyshimeve kanë ndalur një veturë të dyshimtë për kontrabandë të mundshme të barërave. Pas ndalimit të automjetit është gjetur sasi e konsiderueshme e barërave në pjesën e bagazhit”.
Siç njofton Dogana e Kosovës, bazuar ne indikacionet e mëtejme, zyrtaret doganor hetues kanë arritur të mësojnë se personi në fjalë posedon edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësore në Prishtinë.
Duke vepruar mbi këto indikacione dhe në bashkëpunim dhe udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, zyrtaret doganor kanë hyrë në këtë depo, ku kane gjetur stok të konsiderueshme të barërave ilegale në sasi prej 17 mijë e 923 pako, me 359 lloje të barnave.
“Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyre ka qenë i përfshirë në lejimin e kontrabandës. Me këtë rast, hetuesit e Doganës pas urdhrit nga Prokurori, kanë arrestuar zyrtarin doganor si dhe personin e dyshimtë, ndërsa barërat ilegale janë sekuestruar të gjitha”.