Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën ka miratuar propozimin për ta dërguar në shqyrtim publik Projekt Hartën Zonale të Komunës së Podujevës 2020 – 2028, njofton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja, Marigona Lahu dhe anëtarët e ekzekutivit.

Prezantimin e pikës së parë të rendit të ditës e bëri, drejtori i drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, (DPUMM), Bujar Hasani, i cili tha se projekt propozimi për Hartën Zonale të Komunës së Podujevës, ka ardhë në kuvend për të shkuar në shqyrtim publik në afat të përshpejtuar prej 15 ditësh pas marrjes së konfirmimit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)

Ai tha se Harta Zonale është një ndër dokumentet më të rëndësishme të komunës dhe si e tillë është trajtuar me kujdes të veçantë në mënyrë që në fund ta kemi një dokument funksional dhe që u ofron zgjidhje në shumë çështje çoftë në aspektin zhvillimor dhe infrastrukturor.

Kjo pikë e rendit të ditës mori mbështetjen e të gjithë këshilltarëve prezent, ndërsa në emër të Grupeve të Këshilltarëve u deklaruan, Hasan Ajeti, LDK, Florent Hasani, LVV dhe Fatmir Rudari, PDK.

Sqarime shtesë gjatë diskutimeve të tyre kërkuan, asambleistët, Mehmet Gashi, LDK dhe Rafet Llapashtica, PDK. Përgjigjet për të cilat i dha drejtori i  DPUMM, Bujar Hasani.

Në seancën e sotme kuvendi gjithashtu ka miratuar edhe zëvendësimin e një anëtari të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB, bazuar në ndryshimet e fundit në Stacionin e Policisë në Podujevë./Llapi.info