Në mars të vitit 2015 Komuna e Podujevës i ka transferuar 2227 euro në emër të eleminimit të qenëve endacak Shoqatës së Gjuetarëve “Llapi”.
Burime zyrtare brenda Komunës së Podujevës kanë bërë të ditur për Llapi.info se me shumën e ndarë prej 2227 euro është dashur të vriten 131 qenë, për shkak se çmimi për vrasjen e një qeni ka qenë 17 euro.
Llapi.info ka kontaktuar sekretarin e Shoqatës së Gjuetarëve “Llapi”, Mursel Ahmetin, i cili ka konfirmuar se çmimi për vrasjen e një qeni ka qenë 17 euro, përfshirë varsjen, bartjen dhe varrosjen e tyre.
I pyetur se sa është numri i qenëve që kjo shoqatë ka arritur të eliminojë, Ahmeti ka thënë se brenda dy – tri dite sa ka qenë në fuqi vendimi për eliminimin e qenëve endacak, kanë arritur të eliminojnë 12 – 13 qenë.
Me shumën që ka ndarë Komuna e Podujevës prej 2227 euro për eliminimin e qenëve endacak, është dashur të eliminohen 131 qenë.
Lidhur me këtë Ahmeti është arsyetuar duke thënë se edhe pas anulimit të kontratës më 28 janar 2015 për eliminimin e qenëve endacak, ata janë angazhuar edhe në rastet e lajmëruara nga policia dhe nga pronarët e qenëve, duke mos përmendur shifra se sa ka qenë numri i këtyre rasteve.
Ndërsa, lidhur me transferimin e 2227 euro, Ahmeti ka thënë se mjetet ende nuk u janë tranferuar. Por, kur i është bërë e ditur se Llapi.info ka informata për këtë transferim, ai ka ndërruar mendje duke thënë se mjetet janë tranferuar pjesërisht.
Mursel Ahmeti, sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve “Llapi”, ka konfirmuar për Llapi.info se kontrata për eliminimin e qenëve endacak ka qenë e nënshkruar mes Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Podujevës dhe Shoqatës së Gjuetarëve “Llapi”.
Nga ana tjetër, kontakti me drejtorin e DSHPMSH në Komunën e Podujevës, Faik Muçiqin, ka qenë i pamundur, për shkak se i njëjti është në pushim. Ndërsa, zyrtarët për informim në këtë komunë kanë thënë se nuk kanë informacion për këtë çështje.
Vendimin për eliminimin e qenëve endacak në Komunën e Podujevës e kishte marr kryetari i kësaj komune, Agim Veliu, në janar të vitit 2015 të cilin vendim e anuloj pas dy – tri dite, me 28 janar 2015, me arsyetimin se nuk kishin zgjidhje tjetër./Llapi.info