Një Lamborghini gri “gjëmonte” autostradës drejt qytetit shqiptar të Vlorës, i ndjekur nga afër nga një BMW e zezë.
Kështu e fillon shkrimin mediumi zviceran Blick.ch, duke rrëfyer për një ngjarje të ndodhur në rrugët e Shqipërisë, në të cilën protagonistë janë dy kosovarë që jetojnë në Zvicër.
Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, makinat luksoze po bënin një garë, duke përshpejtuar deri në 225 kilometra në orë aty ku e lejuar ishte vetëm deri në 100 kilometra në orë.
Dhe siç shkruan ky medium, kjo ka rënë edhe në sy të policisë shqiptare, të cilët i kanë ndaluar ata.
Në dalje të qytetit, oficerët e policisë ndalojnë makinat me targa Schwyz dhe sipas policisë, në timonin e Lamborghini ishte një kosovar (40) i cili jeton në Zvicër.
Ndërkohë vë në pah Blick.ch, numri i tabelave tregon se bëhet fjalë për një makinë të marrë me qira nga në Schübelbach SZ të Zvicrës.
Megjithatë, pronari i kompanisë nuk ka dashur të komentojë për Blick. Ai ishte me pushime dhe nuk dinte asgjë për një incident të tillë.
Ndërkohë një 37-vjeçar nga Kosova ngiste makinën me BMW dhe makina e tij i përket një kompanie pastrimi në kantonin Schwyz.
Shefi i tyre është gjithashtu me pushime – dhe nuk ishte në dispozicion për të komentuar rreth ngjarjes, për Blick.
Si pasojë, tregon mediumi zviceran, në stacionin e policisë, të dy shpejtuesit duhet t’i nënshtroheshin një kontrolli alkooli – dhe të “pajtohen” me një gjobë të rëndë: shoferi i BMW duhet të paguajë 1500 franga zvicerane, ndërsa ai i Lambos rreth 1000 franga zvicerane.
Policia shqiptare shkruajti në një mesazh drejtuar të gjithë atyre që vozisin me shpejtësi: “Të ngasësh automjetin me një shpejtësi të tillë është fatale. Ju rrezikoni seriozisht jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”.