Dehidratimi është gjendja që ndodh kur trupi i njeriut humb sasi më të mëdha të lëngjeve sesa konsumon dhe etja është shenja e parë paralajmëruese që tregon se një person ka filluar të dehidratohet.
Kjo gjendje ndodh për shkaqe të shumta, nisur nga nxehtësia, ilaçet apo edhe telashet me tretjen. Si pasojë, personat e prekur mund të ndihen të etur, të lodhur, të kenë vështirësi në përqendrim apo edhe t’i humbin ndjenjat.
Përveç konsumimit të sasive më të mëdha të ujit, ekspertët shëndetësorë sugjerojnë edhe shumë mënyra të tjera për ta luftuar dehidratimin. Në vijim janë disa prej tyre.
Konsumimi i supave
Supat kanë përmbajtje të lartë të ujit dhe elektroliteve, një kombinim ky që është thelbësor për t’i kontribuar shtimit të sasisë së lëngjeve në trup.
Për më tepër, lëngu i kockave dhe supat e pasura me proteina shtazore sigurojnë kolagjen. Fjala është për një proteinë të rëndësishme për nyjat, e cila ndihmon në riparimin e indeve, në shëndetin e nyjave dhe që është shumë dobishme në rast dehidratimi.
Shalqiri dhe pjepri
Frutat si shalqiri dhe pjepri kanë një përmbajtje tejet të lartë të uji dhe mund të jenë një mundësi e shkëlqyeshme për t’u hidratuar.
Vetëm një filxhan shalqiri të prerë në kubikë përmban pothuajse 92 për qind ujë. Ndërkaq në sasinë e ngjashme të pjeprit, përmbajtja e ujit është rreth 90 për qind.
Ruajtja e këtyre dy pemëve në frigorifer mund të ndihmojë në luftimin e simptomave të dehidrimit të shkaktuar nga nxehtësia gjatë muajve të verës.
Lëngjet e frutave
Lëngjet e frutave janë gjithashtu një mënyrë shumë efikase për t’u hidratuar.
Ato jo vetëm që janë të ëmbla dhe freskuese, por përmbajnë gjithashtu edhe vitamina të shumta, si vitamina C, e cila është qenësore për një sistem të shëndetshëm imunitar.
Qumështi
Qumështi është një opsion i mirë për t’u hidratuar, për faktin se përmban shumë elektrolite të dobishme për organizmin.
Një gotë qumësht përmban proteina, karbohidrate, kalcium, kalium, magnez dhe pak yndyrë.
Ekspertët skanë specifikuar si disa njerëz janë më të rrezikuar nga dehidratimi sesa të tjerët. Grupet me rrezikshmërinë më të lartë janë fëmijët, të moshuarit, atletët dhe personat që punojnë në ambientet e jashtme ose jetojnë në lartësi të mëdha.
Ethet, të vjellat, diarrea, djersitja, ilaçe të caktuara, të tilla si diuretikët, që mund të bëjnë të urinoni tepër, janë disa nga shkaktarët e zakonshëm.
Për të parandaluar dehidratimin duhet konsumuar sasi të mjaftueshme të ujë, të hahen ushqime të pasura me ujë dhe të vëzhgohet gjithsesi ngjyra e urinës.
Ngjyra e urinës duhet të ndryshojë nga e verdha e lehtë deri te e qelibarta e zbehtë. Urina e errët është shenjë treguese e dehidratimit.
Për ta shmangur dehidrimin duhet hequr dorë nga konsumimi i alkoolit, kafeinës apo pijeve të ëmbëlsuara me sheqer, ngase ato mund të dehidratojnë edhe më shumë.
Në rast të problemeve me veshkat, ushqimet në këtë listë mund të mos jenë të përshtatshme. Ndërkaq nëse dehidratimi ka arritur në nivel më të rëndë, atëherë duhet kërkuar menjëherë ndihmë nga një profesionist i kujdesit shëndetësor. Dehidratimi i rëndë është një urgjencë mjekësore.