Një skandal i madh mafio-politik po trondit Serbinë. Lidhjet e krimit të organizuar me gjasë arrijnë deri në krye të qeverisë serbe në Beograd. Përplasjet mafioze janë parë vitet e fundit në Serbi gjithmonë vetëm si pjesë e krimit të organizuar. Por në Beograd janë shtuar kohët e fundit pretendimet e mediave dhe qarqeve të ndryshme që thonë se ngritja e grupeve mafioze ka ndodhur në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqjen shtetërore të Serbisë.

Me arrestimin e kriminelit Veljko Belivuk dhe grupit të tij, ka filluar të zbulohet edhe roli i shtetit serb në mbrojtjen e grupeve të caktuara kriminale. Veljko Belivuk ishte drejtues i grupit huligan-kriminal “Principi”, i cili punonte brenda klanit malazez Kavaq. Kundër këtij grupi është ngritur tanimë një aktakuzë, në të cilën grupi fajësohet për pesë vrasje, për rrëmbime, tortura dhe përdhunimin e një personi. Ky grup akuzohet edhe për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Detajet tepër shqetësuese të vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, mes të tjerash edhe vrasje me sëpatë dhe bluarjen e mishit të njerëzve, kanë vërshuar mediat serbe javët e fundit.

Roli mafioz i pushtetit

Veljko Belivuk dhe dora e tij e djathtë, Marko Miljkoviq, në deklaratat e tyre në prokurori, kanë akuzuar rëndë edhe disa nga krerët e shtetit të Serbisë. Belivuk në deklaratën e tij para prokurorisë pretendon, se ai personalisht është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një apartament në lagjen Zvezdara në Beograd. Belivuk pohon se Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) kanë kërkuar shërbime të ndryshme prej tyre.

Këto shërbime kishin të bënin me parandalimin e thirrjeve në tribunat e stadiumeve kundër presidentit të Serbisë, Vuçiq (asokohe në stadiume brohorisnin disa grupe se Vuçiqi është homoseksual), me frikësimin e organizatorëve të protestave kundër autoriteteve të Serbisë, me sigurimin e qetësisë në Paradën e Krenarisë në Beograd, por edhe me ndikimin e këtij grupi tek taksistët në Beograd, që të hiqinn dorë nga protestat kundër aplikacionit të transportit “CarGo” (një kompani e lidhur me vëllanë e kryeministres Ana Brnabiç). Natyrisht që nuk dihet, se cili saktësisht ka qenë kundërshërbimi i qeverisë për këto shërbime të këtij grupi kriminal, por thuhet se kundërshërbime mund të kenë qenë mos pengimi i trafikut të drogës, sigurimi i klubeve, bizneset fitimprurëse të tyre me shtetin, mbështetje logjistike e tyre, si dhe mbështetje e tyre nga policia dhe gjyqësia në rastet e konflikteve me ligjin.

Ndryshe, Belivuk i ka thënë prokurorit se ai ishte anëtar i partisë SNS (të presidentit Vuçiq) që nga viti 2011. Lista e zyrtarëve qeveritarë, të cilët në mënyra të ndryshme kanë qenë të lidhur me mbështetjen e këtij grupi kriminal shkon praktikisht deri në ajkën e pushtetit të partisë SNS, e ata janë: Aleksandar Vulin, ministër i Policisë, Nebojsha Stefanoviq, ministër i Mbrojtjes, Diana Hrkaloviq, ish-sekretare e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, Darko Glishiq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të partisë SNS dhe Novak Nediq, sekretar i përgjithshëm i qeverisë së Serbisë. Por hetuesit zyrtarisht nuk janë marrë me lidhjet e këtij grupi kriminal me politikën dhe policinë.

Bozho Preleviç: „Ky është problem rajonal dhe evropian”

Dëshmitë e dy kriminelëve kanë vënë në lëvizje makinerinë propagandistike të regjimit në Serbi. E gjithë propaganda drejtohet kundër opozitës, njerëzve të pasur në Serbi dhe ambasadave të huaja, të cilët akuzohen, se ata gjoja po përpiqen në këtë mënyrë të përmbysin pushtetin e presidentit Aleksandar Vuçiq në Serbi. Këto qarqe thonë, se kriminelët e akuzuar mund të gënjejnë në mbrojtje, që sigurisht mund të jetë e vërtetë, por siç thotë për Deutsche Wellen avokati dhe deputeti Bozho Preleviq, këto pohime nuk kanë kurfarë logjike. “Pse ata do të mbroheshin me pohime, të cilat vetëm sa mund të përkeqësojnë situatën e tyre? Ata do kalonin më së miri sikur të thoshin se për të gjitha veprat e tyre kriminale e kanë njoftuar opozitën dhe se kanë marrë detyra nga opozita (e jo pushteti)”, thotë Preleviq, në një deklaratë për DW.

Një vëmendje shumë të madhe në Serbi ka zgjuar një tekst i publikuar në gazetën franceze “Le Monde”, e cila shkruan ndër të tjera, se “krimi i organizuar është futur në zemër të sistemit shtetëror në Serbi dhe Mal të Zi”. Gazeta “Le Monde” shkruan më tej se “grupet kriminale nga Mali i Zi dhe Serbia kanë marrë pjesë në tregtinë e drogës me origjinë nga Amerika e Jugut, e cila është transportuar në të gjithë Evropën, e kjo e gjitha është bërë në bashkëpunim me autoritetet zyrtare të pushtetit”. Në tekst theksohet në veçanti “roli i vëllait të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq (Andrej Vuçiq) në Beograd si dhe vëllait të presidentit malazez Millo Gjukanoviq (Aca Gjukanoviq) në Podgoricë”, si dhe fakti se “djali i presidentit serb Vuçiq, Danilo Vuçiq, shpesh është parë në shoqërinë e këtyre huliganëve”.

Situata po bëhet tmerrësisht e pakëndshme për qeverinë, pohon Preleviq dhe shton se e gjithë afera nuk është më vetëm problem i Serbisë: “Ky tani është një problem rajonal dhe evropian, e ky problem nuk mund të zgjidhet tani vetëm nga Serbia. Pyetja që shtrohet tani është: nëse dikush ju premton se do të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, a do të thotë kjo se ky person është në gjendje të shkatërrojë tërësisht edhe vendin e vet pas disa vitesh. Dhe a është e mundur që institucionet evropiane, të cilat kanë raporte shumë të sakta për këto gjëra, ndoshta mund t’i mbyllin sytë para këtyre gjërave dhe do t’ia falin ato”, pyet Preleviq.

Situatë e paqëndrueshme – kërkohen përgjigje

Tani është i domosdoshëm një hetim i plotë mbi pretendimet e anëtarëve të grupit të Belivukut, në mënyrë që të saktësohet nëse vërtet ka të vërteta në pohimet se disa grupe kriminale kanë pasur mbështetjen e autoriteteve më të larta, thotë për DW Slobodan Georgiev, drejtor programor i “Newsmax Adria”.

“Kjo situatë është e paqëndrueshme dhe tani duhet të jepen disa përgjigje. Unë mendoj se njerëzit në polici dhe në prokurori dinë shumë për këto gjëra, ndërkohë që edhe lëvizjet e presidentit të Serbisë mund të përcaktohen shumë lehtë. Mendoj se do të ishte shumë e dobishme dhe shëruese për situatën, sikur të përcaktohej sfondi i qartë i krijimit të këtij grupi, si dhe mënyra e shndërrimit të këtij grupi tifozësh në një grup të organizuar kriminal. Dhe të përcaktohet, se kush e ka ndihmuar këtë grup nga qeveria dhe pushteti”, thonë Georgiev.

Slobodan Georgiev thotë se fushata e mediave të regjimit për pastrimin e pushtetit është e pritshme, sepse siç thotë ai, “kur kontrolloni mediat e mëdha, ju mund të shkoni rreth e rrotull dhe të tregoni versionin tuaj të së vërtetës”. E në anën tjetër e keni në duar edhe buxhetin e shtetit dhe mund të paguani të tjerët të bëjnë propagandë“.

Mediat e regjimit dhe financimi i tyre

Sa i përket dilemës, nëse kjo aferë do të dëmtojë politikisht autoritetet e tanishme në Serbi, apo pushteti do të arrijë të amortizojë këtë aferë, Georgiev nënvizon se “votuesit e Vuçiqit nuk shohin dhe nuk dëgjojnë asgjë tjetër. Ata vetëm shohin se dikush po e sulmon Vuçiqin dhe po e akuzon atë për gjëra të tmerrshme. Ndërsa Vuçiqin e shohin si njeri të mirë që u jep para dhe punë të gjithëve. Kjo është arsyeja pse mediat edhe këtu janë gjëja më e rëndësishme, sepse në këto media nuk mund të lexoni dhe shikoni asgjë tjetër, përveç vajtimeve të Vuçiqit, i cili shkon rreth e përqark dhe thotë se dikush po do ta shkatërrojë – ndërsa për veten pohon se është i gatshëm të shkojë edhe në poligraf dhe të dëshmojë të vërtetën”, nënvizon Georgiev.

Avokati Bozho Preleviq është i mendimit, se SNS nuk mund të bindë më as anëtarësinë e vet, se kjo parti nuk është e lidhur me grupe serioze kriminale. “Zgjedhjet e reja do të vijnë së shpejti dhe se kjo aferë nuk do të mund të ndalet dhe kapërcehet lehtë. Gjyqi dhe mbrojtja e të akuzuarve ende nuk kanë filluar, ndaj besoj se informacionet e FBI-së do të dalin dhe se me to do të njihet edhe opinioni i gjerë në Serbi. Por me këto do të njihen edhe politikanët evropianë dhe se do të shihet se me çfarë problemi po përballemi ne këtu”.

Po për sa kohë Vuçiçi tregohet servil, veçanërisht ndaj amerikanëve, asgjë nuk do të ndryshojë, beson Sllobodan Georgiev.

“Vuçiqi është njeri i dëgjueshëm, dhe derisa vazhdon të jetë i këtillë, nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem për të. Gjërat mund të ndryshojnë vetëm, nëse Vuçiqi ndryshon pozicionin e tij, ose nëse dikush vendos të na tregojë disa gjëra, siç ka ndodhur dikur në Maqedoni, ku shihet se Vuçiqi dhe njerëzit rreth tij mund të jenë të lidhur me krimin e organizuar”, përfundon drejtori i “Newsmax Adria”.