Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë ditës së djeshme në seancën parlamentare ka akuzuar diplomaten, Fatmire Musliu se gjatë 9 viteve sa ka punuar në shërbim diplomatik, asnjëherë nuk është kthyer në Kosovë, çka sipas tij, përbën shkelje.

Diplomatja, Fatmire Musliu e ftuar në emisionin A23 me Flaka Vitakun, ka folur rreth akuzave që Konjufca i hodhi në drejtim të saj.

Ajo ka treguar se thirrja ndaj saj për t’u kthyer në punë ka ndodhë në kohën kur Konjufca ka ardhur në krye të Kuvendit.

“Gjatë këtij shërbimi kam punuar në menaxhimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Alencës Kosova e Re dhe tani të Lëvizjes së Vetëvendosjes. Të gjitha subjektet politike që kanë qenë pjesë e parlamentit unë kam qenë diplomate. Nuk kam pas thirrje për kthim deri në ardhjen e zotëri Konjufcës kur më është dërguar një vendim të cilin e kam pranuar me lutjen që të kompletohet dokumentacioni për shkak se isha e dekretuar nga Presidenti, ketë e dokumentoj me fakte,“ – u shpreh ajo.

Musliu u shpreh se nuk ka mundur që ajo të marrë valixhet dhe të kthehej në Prishtinë pa pasur një kërkesë ndaj saj.

“Unë kam qenë e dërguar atje me vendim të ministrit ose me dekretim të Presidentit, nuk kam mundur t’i marr valixhet e të kthehem në Prishtinë. Nuka ka pasur vendim, kur më ka ardhë vendimi, e kam pranuar si të tillë,” – u shpreh tutje Musliu në ATV.

Ndonëse gjatë seancës parlamentare, Kryetari Konjufca është shprehur se nuk e ka gjykuar nga prejardhja znj. Musliu, kjo e fundit pretendon të jetë e kundërta.

“Ata flasin, pastaj dalin nga ato çka kanë thënë. Në momentin që mua më referohen si motra e dikujt, dhe si motra të dikujt jemi vajzat e dikujt, kjo ka të bëjë edhe me prejardhjen time familjare,” tha Musliu.

Ajo është shprehur se deputetët e LV-së, gjithnjë i janë referuar si ‘motra e Ganimete Musliut’, dhe jo si Fatmire Musliu, kinse, sipas saj, të mundohen ta krijojnë opinionin se Ganimete Musliu e ka futur motrën në politikë.

“Nuk është hera e parë që Konjufca, e edhe deputetët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, që në Parlament dhe në studio televizive nuk më referohen mua si Fatmire Musliu si dhe Diplomate e Republikës së Kosovës por si motra e Ganimete Musliut. Unë e përsëris, jam krenare që jam motra e Ganes, por jam 7 vjet më e madhe se Ganja dhe kur kam filluar aktivitetin tim politik ajo ka qenë ne klasën katërt ose të pestë të shkollës fillore,” tha tutje Musliu.