Disa parulla kundër Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, janë shfaqur të shkruara në muret e ndërtesave në Kosovë.
Parulla “Unë jam mirë kur është mirë Serbia – Edi Rama”, është një ironi për Kryeministrin shqiptar, me shprehjen e famshme të Isa Boletinit, “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria”.
Parullat anti-Rama në Kosovë shfaqen disa ditë pas takimit të kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për nismën e quajtur “Ballkani i Hapur”.
Kjo nismë është kundërshtuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e bojkotoi takimin, e po ashtu është kundërshtuar edhe nga ekspertë e politikanë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.
Këtë iniciativë si Kosova kategorikisht e refuzuan edhe Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina, edhe për këto vende Rama pati fjalë.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, që tani është emëruar “Ballkani i Hapur”, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.