Psikologja Ardiana Bytyqi, e cila është edhe menaxhere e projektit në Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se gratë zakonisht janë grupi më i cenuar i krizave humanitare.

Ajo foli edhe për rastet që i trajtojnë aktualisht në Kosovë dhe tha janë të gatshëm për të pritur edhe refugjatët afganë, për të cilët Kosova ka rënë dakord që t’i mirëpresë një numër të tyre, njofton Klan Kosova.

“Rrëfimet më prekëse janë të grave, kanë përjetuar edhe traumën e përdhunimit, të nënave vetushqyese që me disa fëmijë për momentin po mundohen t’ia dalin në Kosovë. Kemi të rinj të traumatizuar që kanë jetuar në zona të izoluara edhe në vendin e tyre dhe kanë ardhur në Kosovë për një jetë më të mirë. Të gjitha rastet që kemi janë të vështira. Ne e bëjmë edhe vlerësimin edhe profilizim e grupeve të ndjeshme, ofrojmë shërbime dhe trajtim adekuat. Dhe jemi këtu për t’i mbështetur institucionet edhe për numrin e afganëve që do të vijnë”.

Bytyqi në Info Magazine ka thënë se integrimi i të huajve në shoqërinë kosovare është i rëndësishëm.

“Duhet ta kemi parasysh që këta njerëz që vijnë në Kosovë nuk vijnë me dëshirë të tyre. Ata janë detyruar që t’i lënë shtëpitë e tyre dhe të marrin rrugë të gjata në kërkim të mirëqenies dhe dinjitetit të tyre. Kryesisht kemi raste të traumës në vendin e origjinës, po shpesh vetë lëvizja është traumë në vete, sepse mund të ketë incidente të ndryshme. Kemi raste të dhunës, të torturës, kemi fëmijë që s’kanë qenë asnjë ditë në shkollë dhe kanë 10 apo 11 vjet dhe s’dinë shkrim dhe lexim në asnjë gjuhë.

Ajo ka thënë se fëmijët kanë të drejtë për qasje në edukim në Kosovë dhe janë pjesë e këtij sistemi ata që qëndrojnë në Kosovë.

“Sfida kryesore është që përveç që s’kanë qenë kurrë në shkollë ata janë shumë të traumatizuar dhe nuk kanë ndonjë sistem social apo mbështetës”.