Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka vizituar prindërit e ish presidentit Hashim Thaçi.
Haradinaj po ashtu ka njoftuar se për prindërit e Thaçit ka ndarë medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”, për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, transmeton Telegrafi.
“Sot kisha nderin që me bashkëpunëtorë, ta vizitoj familjen e Haxhi dhe Hyre Thaçit, prindërit e Presidentit Hashim Thaçi. Njëherësh për ta kam ndarë medaljen ‘ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET’. Themeli i lirisë dhe Shtetit të Kosovës është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari. Luftë më të drejtë, më të pastër e më fisnike, për çlirim nga pushtimi i egër millosheviqian, nuk do të njohë asnjëherë njerëzimi”, ka deklaruar Hardinaj.
Tutje, Haradinaj ka shkruar se beson në pafajësinë e bashkëluftëtarëve, dhe të Hashim Thaçit.
“Përtej dallimeve politike, unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës sonë dhe pafajësinë e të gjithë bashkëluftëtarëve, në këtë rrafsh edhe të Hashim Thaçit”.